Maqedoni
Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, Rexhepi shpalosë programin për Tetovën
25.10.2025 14:37
Rexhepi vazhdon me shpalosjen e programit të tij, në të cilin ndër prioritetet programore është edhe zgjidhja e problemit të komunikacionit.....

Kandidati për kryetar të Tetovës nga radhët e Aleancës Kombëtare për Integrim, Bajram Rexhepi, vazhdon me shpalosjen e programit të tij, në të cilin ndër prioritetet programore është edhe zgjidhja e problemit të komunikacionit. Ai këtë zgjidhje e parasheh me ndërtimin e një qyteti administrativ në pjesën ku aktualisht ndodhet kazerma e qytetit, ku sipas Rexhepit do të duhej të zhvendoseshin të gjitha institucionet.
“Zgjidhja e problemeve të komunikacionit është ndër prioritetet e programit tonë zgjedhor. Nëse e shihni ne kemi planifikuar transferimin e të gjitha institucioneve aktualisht ku gjendet kazerma. Domethënë do të jenë të gjitha institucionet që aktualisht gravitojnë në qendrën e Tetovës, duke përfshirë policinë, komunën, gjykatën, prokurorinë, avokatin e shtetit, kadastrën, librat amë e kështu me radhë. Përfundimisht qendra e qytetit do të fillojë të frymojë.”, u shpreh kandidati i AKI-së për kryetar të Tetovës, Bajram Rexhepi.
Në këto institucione aktualisht gravitojnë rreth 1500 të punësuar thotë Rexhepi, sipas të cilit ata nuk kanë vende ku të parkohen, ashtu si edhe të gjitha palët të cilët kanë nevojë për shërbime në këto institucione, të cilat po ashtu kanë probleme për të gjetur vend parkim. Rexhepi thotë se kjo do të zgjidhej me ndërtimin e një qyteti administrativ te vendi ku aktualisht ndodhet kazerma. Ndërsa te objektet aktuale ku janë të vendosura institucionet Rexhepi thotë se do të duhet të ndërtohen garazhe në kate me 4600 vende parkimi, që përfundimisht të zgjidhet problemi i vend parkimit, sidomos në periudhën e verës, kur vijnë edhe mërgimtarët. Poashtu 150 mijë metra katror nga kazerma, do të mbeten për parkun e qytetit thekson Rexhepi. Ai njëherit thekson se në programin e tij parashihet edhe strategji për një qytet më të pastër.
“Komuna ka privatizuar ndërmarrjen që menaxhon me mbeturinat në Tetovë, dhe aktualisht më shumë se 10 mijë familje janë në procedura përmbarimore. Kjo nuk e ka zgjidhur problemin me kaosin dhe me mbeturinat në Tetovë. Plani jonë është kjo, të pastrohet rregullisht i gjithë territori i Tetovës. Të ketë vende ku banorët qytetarët e Tetovës duhet të transferojnë mbetjet inerte. Aktualisht nuk ka asnjë vend të tillë.”, tha Rexhepi.
Rexhepi thotë se komuna do të menaxhojë me mbeturinat dhe do të rishikohet metodologjia me të cilën përllogariten faturat, sepse aktualisht bëhet në bazë të hapësirave e jo në bazë të banorëve, që sipas tij është krejtësisht e pa logjikshme. Me ndryshimin e kësaj metodologjie do të zvogëlohet edhe faturimi për këtë shërbim thotë Rexhepi, duke premtuar se Tetova do të jetë e pastër si asnjëherë më parë, gjatë tërë periudhës së vitit.
Përveç Bajram Rexhepit në Tetovë, kandidatët e AKI-së vazhdojnë aktivitetet për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale të 2 nëntorit edhe në Strugë, ku në garë për kreun e kësaj komune është Arsim Dalipi, në Kërçovë ku ky koalicion garon me kryetarin aktual të kësaj komune Fatmir Deharin dhe në komunën e Studeniçanit, ku Aleanca Kombëtare për Integrim garon me Ejup Abazin.
GYLTENE SINANI
