Maqedoni
Konferenca e VII-të shkencore e ShAShShA: “Shqiptarët në Maqedoni: Jeta urbane dhe rurale”
25.10.2025 17:00
Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art organizoi Konferencën e VII-të shkencore...

Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art organizoi Konferencën e VII-të shkencore me temë: “Shqiptarët në Maqedoni: Jeta urbane dhe rurale”. Kryetari i Shoqatës, profesor Hasan Jashari, theksoi se përmes kësaj konference u përcoll mesazhi se vendbanimi është faktor kyç që e bën të dukshme një popullatë. Ai foli për disa nga sfidat kryesore që përballen komunitetet shqiptare, si shpopullimi, problemet e trafikut, mungesa e infrastrukturës së plotë të bashkësive lokale, mungesa e ujit të pijshëm, hapësirave për parkim dhe zonave të gjelbra. Gjithashtu, u vu në dukje se normat shoqërore janë çrregulluar, ndërsa korrupsioni është bërë një dukuri që shumë njerëz e pranojnë lehtë, ndonëse në botën e jashtme konsiderohet si një krim serioz.
“Zgjodhëm këtë temë sepse është e pa hulumtuar, duke marrë parasysh faktin se për Shqiptarët në Maqedoni flitet shumë, dhe politikanët, dhe gazetarët edhe profesorët universitarë flasin për ta, mirëpo nuk ka një studim të mirëfilltë për jetën e tyre urbane dhe rurale, duke u nisur nga ajo se vendbanimi është faktor kyç që e bën të dukshme një popullatë. Ne jemi në kohën kur po bëhen ndryshime të mëdha të normave shoqërore në Republikën e Maqedonisë, por edhe në botë, dhe natyrisht vendbanimet shqiptare kanë ndryshuar. Janë rritur, janë zhvilluar, mirëpo fatkeqësisht në momentin në të cilin jetojmë, në kohën në të cilën jetojmë, kemi edhe shpopullim, kemi edhe problemin e trafikut, kemi problemin të paplotësuara të bashkësisë, domethënë kemi për ujë, për parkingje, për oazat e gjelbra. Në shoqëri gjithashtu janë çrregulluar normat, shoqëria është e edukuar në frymë komuniste, nga ajo që korrupsioni është bërë një veçori, një veti që njerëzit e pranojnë lehtë, ndërsa në botën e jashtme ajo është një krim. Do të thotë, është një situatë ku e gjithë shoqëria mobilizohet ta luftojë. Pra, të gjitha këto që u thanë, jam i sigurt se të gjithë profesorët universitarë — 20-30 profesorë që janë këtu — do t’i trajtojnë në mënyrë të mirëfilltë dhe do të japin sugjerimet e tyre shkencore për të ardhmen e këtij komuniteti. Në çdo komunitet, dija është resurs, është pasuri. Fatkeqësisht, kryetarët e komunave, ministrat, deputetët, nuk e kërkojnë mendimin e profesorëve universitarë. Kjo është e keqe.”, u shpreh kryetar i Shoqatës Akademike të Shqiptarëve për Shkencë dhe Art, Hasan Jashari.
ARMEND MURSELI
