Rajon

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet të dielën, zgjedhja e qeverisë së re është pika e vetme

25.10.2025 17:52

Gjatë ditës së dielë pritet të mblidhet Kuvendi i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme...

Gjatë ditës së dielë pritet të mblidhet Kuvendi i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme, ku si pikë e vetme e rendit të ditës është zgjedhja e qeverisë së re. Në këtë seancë pritet që Kryeministri Kurti, i cili në zgjedhjet e 9 shkurtit doli forcë e parë, të paraqesë përbërjen e qeverisë së re, por ende nuk dihet nëse ka siguruar numrin e nevojshëm të votave në parlament. Nga ana tjetër Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka deklaruar se nëse nuk ka një marrëveshje për formimin e Qeverisë në seancën e së dielës, atëherë ajo do të ftojë partitë për të parë nëse ndonjëra mund të sigurojë 61 mandatet.
 
“Në qoftë se ka marrëveshje, mund të mbahet seanca dhe mund të ketë qeveri. Në qoftë se s’ka marrëveshje, atëherë si presidente e vendit do t’i ftoj të gjitha partitë politike për të parë nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën, sepse mendoj që është përsëri herët të flasim për zgjedhjet e jashtëzakonshme, por ajo është një alternativë në qoftë se nuk krijohet shumica.”, thuhet në komunikatën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
 
Ndërsa mediat e Kosovës raportojnë se ende nuk është zhvilluar ndonjë takim apo negociatë mes subjekteve politike, që do të mundësonin krijimin e një koalicioni qeverisës, pasi në zgjedhjet e shkurtit, LVV arriti të siguronte vetëm 48 mandate, nga 120 sa numëron Parlamenti. 
 
Kurti nuk iu përgjigj interesit të gazetarëve nëse ka siguruar votat për qeverinë e re. Në datën 11 tetor, Kurti u mandatua nga presidentja Vjosa Osmani për të krijuar ekzekutivin e ri. Nëse ai nuk arrin të marrë 61 votat e nevojshme në Kuvend, i takon presidentes të ndërmarrë hapin e radhës, që është emërimi i një mandatari tjetër për kryeministër. 
 
Sipas vendimit të vitit 2020 të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, mandatari i dytë për kryeministër mund të jetë edhe nga partia e dytë më e madhe, në këtë rast, Partia Demokratike e Kosovës. Nëse sërish nuk arrihet krijimi i një qeverie, presidentja shpall mbajtjen e zgjedhjeve të reja, të cilat duhet të mbahen brenda një periudhe 40 ditore.
 
FITIM KRYEZIU