Botë

Rubio premton kthimin e të gjithë trupave të pengjeve në Izrael

25.10.2025 18:59

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u zotua të shtunën se do të sigurojë kthimin e të gjithë trupave...

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u zotua të shtunën se do të sigurojë kthimin e të gjithë trupave të pengjeve të vdekur që ende mbahen në Gazë, ndërsa u takua me familjet e dy pengjeve gjatë vizitës së tij në Izrael.
 
“Ne nuk do të harrojmë jetët e pengjeve që vdiqën në robërinë e Hamasit”, tha Rubio në X. “Sot u takova me familjet e qytetarëve amerikanë, Itay Chen dhe Omer Neutra. Ne nuk do të pushojmë derisa mbetjet e tyre, dhe të gjithë të tjerëve, të kthehen,” shtoi ai, disa orë para përfundimit të vizitës së tij tre-ditore në Izrael. 
 
Grupi izraelit “Forumi i Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura” mirëpriti deklaratat e Rubios. 
 
“Trembëdhjetë pengje duhet të kthehen në shtëpi. Trembëdhjetë familje kanë nevojë për qetësi shpirtërore”, tha grupi në X, duke falënderuar sekretarin amerikan të Shtetit. “Ju lutemi mos ndaloni, derisa pengu i fundit të lirohet”, shtoi grupi.