Maqedoni
MMJPH: Nuk ka pasur asnjë rrjedhje të lindanit në OHIS
26.10.2025 12:00
Ministria e Mjedisit informon opinionin publik se nuk ka asnjë rrjedhje të lindanit në OHIS...

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor njofton opinionin publik se nuk ka pasur asnjë rrjedhje të lindanit në OHIS, ndërkohë që procesi i pastrimit po vazhdon në mënyrë të pandërprerë.
Nga Ministria theksojnë se vazhdimisht po punohet në zgjidhjen e një prej sfidave më të mëdha mjedisore në vend. Të mërkurën në mbrëmje është kryer një kontroll inspektues i jashtëzakonshëm, me ç’rast është konstatuar se nuk ka absolutisht asnjë rrjedhje të lindanit, as ndonjë shkelje të masave të sigurisë në hapësirat e ish-fabrikës OHIS.
Krahas punës aktive për pastrimin e lotit të vogël të lindanit, Ministria paralelisht po punon në gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për fillimin e pastrimit edhe të lotit të madh, i cili përbën fazën e ardhshme prioritare të këtij procesi. Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj transparencës, mbikëqyrjes së vazhdueshme dhe zbatimit të sigurt të të gjitha aktiviteteve, me një qëllim të vetëm, krijimin e një mjedisi më të pastër, më të shëndetshëm dhe më të sigurt për të gjithë qytetarët.
