Botë
Sulme të reja rusë në Kiev, disa të vrarë
26.10.2025 13:32
Disa persona janë vrarë dhe plagosur në sulmin e dytë radhazi me dronë rusë mbi kryeqytetin ukrainas, Kievin....

Disa persona janë vrarë dhe plagosur në sulmin e dytë radhazi me dronë rusë mbi kryeqytetin ukrainas, Kievin. Dronët kanë shkaktuar zjarre në dy ndërtesa shumëkatëshe, ndërsa ekipet e shpëtimit kanë evakuuar banorët.
“Kudo kishte flakë dhe aq shumë tym sa nuk mund të dilje jashtë. Vendosëm batanije të lagura mbi dyer dhe dritare.”, u shpreh Olha Jevheniva, banore e Kievit.
“Pati një shpërthim, e fiknin zjarrin, por nuk mundën ta shuajnë plotësisht, me gjasë sepse ende digjej karburanti – një tragjedi e vërtetë.”, u shpreh Serhij Vasiloviç, banor i Kievit.
Putin teston raketën bërthamore
Ndërkohë që sulmet në front janë intensifikuar, Rusia ka testuar raketën bërthamore lundruese “Burevesnik”. Presidenti Vladimir Putin, gjatë vizitës në qendrën komanduese të trupave që luftojnë në Ukrainë, theksoi se kjo armë “është gati për vendosje operative”.
“Edhe njëherë e konfirmuam besueshmërinë e mburojës bërthamore të Rusisë. Forcat tona strategjike janë plotësisht të afta të garantojnë sigurinë kombëtare. Modernizimi i ushtrisë sonë është në nivelin më të lartë.”, u shpreh presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Në anën tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka bërë të ditur se nuk planifikon një takim me Putinin derisa të ketë garanci se mund të arrihet një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës.
“Dua të jem i sigurt se do të arrijmë një marrëveshje, nuk kam ndërmend të humbas kohë. Kam pasur marrëdhënie të mira me Putinin, por kjo situatë është shumë zhgënjyese. Shumë marrëveshje të tjera kanë qenë më të vështira se kjo, por jo kjo. Midis Zelenskyt dhe Putinit ekziston një urrejtje e thellë.”, u shpreh presidenti i ShBA-së, Donald Trump.
Një i dërguar i posaçëm i Kremlinit më herët në Uashington deklaroi se beson në afrimin e qëndrimeve midis Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës për një zgjidhje diplomatike të konfliktit. Ndërkohë, sulmi i fundit rus ndaj Kievit ka shtyrë presidentin Volodymyr Zelensky të përsërisë thirrjet drejtuar Perëndimit për furnizim me sisteme të reja të mbrojtjes ajrore.
ARMEND MURSELI
