Maqedoni

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, Haqim Ramadani synon kreun e Bërvenicës

26.10.2025 14:37

Ramadani vazhdon fushatën duke përfshirë edhe tubimet në diasporë...

Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të komunës së Bërvenicës, Haqim Ramadani, vazhdon fushatën duke përfshirë edhe tubimet në diasporë, në kërkim të mbështetjes për t’u zgjedhur në krye të kësaj komune për katër vitet e ardhshme. Ramadani, i cili në rrethin e dytë është në garë me kandidiatin e VMRO-DPMNE-së, Jovica Ilievski, ka vizituar mërgatën nga Bërvenica në Gjermani, Austri dhe Zvicër, me qëllim që ata të mobilizohen dhe më dy nëntor të vijnë në vendlindje për të votuar. Sipas Ramadanit, kundër-kandidati i tij, i cili është edhe kryetar aktual i komunës, pas dy nëntorit do të largohet nga komuna, pasi, siç thotë ai, ka keqpërdorur çdo gjë dhe nuk ka pasur qasje të barabartë ndaj qytetarëve të kësaj komune. Sipas Ramadanit, kryetari aktual një gozhdë nuk e ka vënë as në Gurgurnicë, as në Tenovë, as në Radiocë, as në Miletinë, e as në Çellopek. Ramadani tha se në rrethin e parë partitë e bllokut maqedonas E majta, LSDM dhe VMRO ishin të unifikuara në një shtab të përbashkët duke mbështetur kundër-kandidatin e tij. Por, Ramadani tha se shqiptarët janë shumicë në këtë komunë dhe ata do të vendosin se kush do të jetë kryetar i Bërvenicës. 
 
“Sot ky popull nuk ka ardhur për Haqimin, ka ardhur të tregojë se zot shtëpije në komunën e Bërvenicës që e mbushin arkën janë shqiptarët. Tash në Demokraci ata që kanë më shumë vota duhet ta drejtojnë atë komunë dhe ne do t’i trajtojmë ashtu si i ka hije edhe popullin maqedonas.”, u shpreh kandidati i VLEN-it për kryetar të Bërvenicës, Haqim Ramadani.
 
Ramadani tha se do të ketë zhvillim të barabartë në vendbanimet e kësaj komune, në bazë të prioriteteve dhe në bazë të numri të banorëve. Kjo nuk është privilegj po përgjegjësi e madhe, sepse ashtu si jo shoh sot në sy, dua t’u shoh edhe pas katër viteve, tha Ramadani, sipas të cilit, vota është amanet. Ai njëherit theksoi se roli i mërgimtarëve është i madh për komunën e Bërvenicës.
 
“Çdo vit nëse ndërtohen 60 shtëpi, 50 nga ato 60 shtëpi ndërtohen nga diaspora. Për një shtëpi ju e dini se duhet të ketë 15 kompani që punojnë. Disa që vendosin pllaka, e disa gurthemele. Krejt ato bizneset e vogla dhe të mesme, mbajnë gjallë bizneset e vogla dhe të mesme në komunën e Bërvenicës.”, u shpreh Ramadani.
 
Në mbështetje të Ramadanit ka dalë edhe kundër-kandidati i tij nga AKI nga rrethi i parë, Enver Pajaziti, i cili e ka shoqëruar Ramadanin në tubimet në diasporë. Fushatën e vazhdojnë edhe kandidatët tjerë të koalicionit VLEN që garojnë për kryetar komune në rrethin e dytë, në Tetovë, Dibër, Dollnen, ndërsa mbështesin, kandiatët e pavarur në Srugë dhe Studeniçan.  
 
FITORE DEMOLLI