Rajon

Kuvendi i Kosovës, dështon zgjedhja e Qeverisë së re të Kosovës

26.10.2025 15:25

Me 56 vota PRO, 52 KUNDËR, dhe 4 ABSTENIME, Kuvendi i Kosovës nuk e ka zgjedhur Qeverinë e re të Republikës së Kosovës...

Me 56 vota PRO, 52 KUNDËR, dhe 4 ABSTENIME, Kuvendi i Kosovës nuk e ka zgjedhur Qeverinë e re të Republikës së Kosovës, të njohur si Qeveria “Kurti 3”. Albin Kurti i mandatuar nga Presidentja Vjosa Osmani, fillimisht bëri një ekspoze, e më pas edhe propozoi Kabinetin e ri Qeverisës, ku mund të shiheshin edhe ministra të cilët kanë qenë edhe në përbërjen e kaluar.   
 
“Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Jashtëm: Glauk Konjufca, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë: Donika Gërvalla, Ministri i Financave: Hekuran Murati, Ministri i Mbrojtjes: Ejup Maqedonci, Ministri i Punëve të Brendshme: Xhelal Sveçla, Ministri i Shëndetësisë: Arben Vitia, Ministri i Arsimit: Avni Zogiani, Ministri e Tregtisë: Mimosa Kusari.”, u shpreh mandatari për formimin e Qeverisë, Albin Kurti.
 
Por kjo përbërje e Qeverisë dhe kjo përpjekje e Kurtit, u kritikua ashpër nga partitë më të mëdha opozitare si: PDK, LDK, AAK.
 
“Koha e fjalëve ka marrë fund, koha është ta verifikoni atë që e keni thënë gjithmonë se keni arrit shumicën e re parlamentare, andaj tani u bëjmë ftesë ta dëshmoni këtë përgjegjësi, duke hedhur në votim, menjëherë dhe sa më parë vendimin e Qeverisë që sapo e propozuat.”, u shpreh kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
 
“LDK nuk sheh arsye për debat, na keni thënë numrat i kemi, urdhëroni mateni vetën me numra demokratik nga kjo legjislatur. Çdo arsyetim tjetër është dërgesë drejt zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme.”, u shpreh kryetari i LDK-së, Lumnir Abdixhiku.
 
“I nderuar deputet që I paraqite këtu në emrin e shumicës, më habiti pak arsyeja e luftës hibride, për mendimin tim, ti je produkt i luftës hibride të armiqve tanë. Lufta hibride e hanë atë i cili e ka ushqyer atë luftë, e tash të ka ardhur radha edhe ty, e të uroj sukses.”, u shpreh kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj.
 
Dhe pasi u hedh në votim, Kryetari I Parlamentit Dimal Basha, konstatoi se numrat nuk mjaftojnë, dhe se përgjegjësia kalon tek Presidentja.
 
“Përgjegjësia tani kalon sërisht tek Presidentja, e cila pas konsultimeve me subjektet politike, dhe brenda një afati prej 10 ditësh, ka mundësi të emëroj kandidatin tjetër për Kryeministër sipas të njëjtës procedura.”, u shpreh kryetari i kuvendit, Dimal Basha.
 
Kjo ishte hera e parë që një mandatar për kryeministër dështon në votim. Në të gjitha proceset e deritashme të formimit të qeverisë, që nga viti 2001, mandatarët janë zgjedhur me shumicë votash me të parën në propozim.
 
FITIM KRYEZIU