Maqedoni

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, kandidatët e pavarur vazhdojnë fushatën

26.10.2025 18:02

Kandidatët e pavarur vazhdojnë fushatën për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale të 2 nëntorit....

Kandidatët e pavarur vazhdojnë fushatën për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale të 2 nëntorit.  

“Zotimet kryesore të programit tonë janë ta afrojmë komunën te qytetarët dhe të bëjmë një komunë pa baltë. Dikush do të thoshte se është normale të bëhen rrugë dhe rrugica, mirëpo nuk është normale që të kemi më shumë se 25 rrugë të paasfaltuara. Prandaj ne që në vitin e parë kemi dal me një program, me të cilën do të bëjmë komunën pa baltë dhe te secili vendbanim apo te secila shtëpi do të ketë rrugë të asfaltuara. Gjithashtu komunë e afërt me qytetarët do të thotë departizimi i institucioneve.”, u shpreh kandidati i pavarur për kryetar të Koçanit, Venko Krstevski.
 
“Për projektet tjera, ne duam të bëjmë një projekt për rregullimin shtratit të lumit Marku që kalon në Batincë, rregullimit e shtratit të lumit Dreshnica, që poashtu kalon andej dhe do të marrim masa më rigoroze për njerëzit që hedhin mbeturina nëpër vendet publike. Ambienti jetësor duhet të jetë një bashkëpunim, komuna po, por edhe qytetarët duhet të vetëdijesohen.”, u shpreh kandidati i pavarur për kryetar të Studeniçanit, Azem Sadiku.
 
“Diferenca është aq optimale, aq domethënëse, aq e sigurtë, sa mjafton të jem unë të vazhdojë si kandidat i pavarur, duke më mbështetur VLEN-i dhe koalicioni qeveritar. Nuk bëj me asnjë parti politike marrëveshje, por do të kërkoj votën e të gjithëve siç e kam kërkuar deri më tani. Unë synojë të marrë të gjitha votat edhe të palës maqedone, sepse ashtu e kam pasur edhe programin.”, u shpreh kandidati i pavarur për kryetar të Strugës, Mendi Qyra.
 
“Besoj me shpirt se kur jemi së bashku asnjë nuk mund të na ndajë. Kemi besimin dhe dashurinë për Dibrën dhe kjo është më e fortë se çdo parti. Të nderuar dibranë, ju ftoj të dilni dhe të votoni me ndërgjegje të pastër, për veten tuaj, për familjen tuaj dhe për të ardhmen tonë të përbashkët. Votoni Ramadan Imerin numër 40, kandidatin e pavarur të popullit.”, u shpreh kandidati i pavarur për kryetar të Dibrës, Ramadan Imeri.