Filloi votimi me postë jashtë Kosovës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njofton se sot ka filluar periudha e votimit jashtë Kosovës për votim me postë në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave.
Kjo periudhë e votimit (27 tetor – 8 nëntor 2025) do të vlejë vetëm për 29.712 shtetasit e Republikës së Kosovës që janë regjistruar me sukses si votues jashtë vendit gjatë afatit të përcaktuar për regjistrim (23 korrik – 29 gusht 2025).
Këta votues i takojnë komunave, të cilat, sipas rezultateve ende të pacertifikuara, janë pjesë e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave.
KQZ-ja ka përgatitur pakot për secilin votues të regjistruar, e cila përmban fletëvotimin e zgjedhjeve për kryetar të komunës. Zarfi që do t’i dërgohet votuesit, përmban: fletëvotimin; zarfin e fshehtësisë; udhëzuesin me informacione se si plotësohen fletëvotimet dhe si realizohet votimi përmes postës; zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës.
KQZ-ja ka filluar procesin e dërgimit të pakove në disa shtete dhe shërbimet postare do ta përcjellin te votuesit e regjistruar në adresat e dhëna prej tyre gjatë procesit të regjistrimit.
Me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që janë regjistruar për të votuar përmes postës, kutitë postare janë funksionale në këto shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.
