Maqedoni

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, VMRO - DPMNE mbajti tubim në Bërvenicë

27.10.2025 14:52

Ilievski vazhdon fushatën në rrethin e dytë, me synimin për të vazhduar të udhëheqë me komunën e Bërvenicës edhe në katër vitet e ardhshme....

Kandidati i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit për komunën e Bërvenicës, Jovica Ilievski, vazhdon fushatën në rrethin e dytë, me synimin për të vazhduar të udhëheqë me këtë komunë edhe në katër vitet e ardhshme. Ai u tha banorëve se do të angazhohet për të pasur bashkëjetesë dhe marrëdhënie të mira ndëretnike. Ilievski premton se në asnjë moment nuk do t’i anashkalojë vendbanimet shqiptare me investime dhe se në mënyrë të barabartë do t’i zhvillojë ato. Atë e shqetësojnë thirrjet e kundërkandidatit të tij nga Koalicioni VLEN, Haqim Ramadani, i cili mërgatës shqiptare në Gjermani i kërkoi që të dielën votën e tyre t’ia japin atij dhe jo Ilievskit. Kjo nuk u shkon në favor askujt, tha Ilievski.
 
“Këto thirrje për ndarje nuk i bëjnë mirë askujt. Banorët e komunës treguan dhe dëshmuan në rrethin e parë, ku edhe atëherë patëm vota shqiptare dhe tani në rrethin e dytë jam duke i pritur, pasi që bashkëjetesën e kemi dëshmuar me vepra dhe është e shkëlqyer. Andaj edhe njëherë dëshiroj t’u them të gjithëve se ne nuk jemi për urrejtje dhe as për ndarje. U bëj thirrje bashkërisht t’u tregojmë dhe dëshmojmë se Bërvenica është komunë multietnike  dhe kështu do të mbetet. Jam i fokusuar në projekte dhe dua të vazhdojë në të njëjtën rritëm.”, - deklaroi kandidati për kryetar në Komunën e  Bërvenicës - VMRO-DPMNE, Jovica Ilievski.
 
Edhe kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, dënoi ashpër thirrjet e Ramadanit duke u shprehur i bindur se ditën e votimit, qytetarët masivisht do t’i refuzojnë të njëjtat. Mickoski i doli në mbrojtje Ilievskit, duke thënë se ai nuk është person i cili ndonjëherë qoftë gjatë ushtrimit të detyrës apo personalisht ka bërë ndarje. Andaj ai ka përkrahjen maksimale nga pushteti qendror, tha Mickoski, duke thënë se Haqim Ramadani do t’i humbë zgjedhjet, se do të shkarkohet nga pozita që ushtron në qeveri dhe paralajmëroi se thirrjet e tij do të prishin shumë punë më 2 nëntor në disa komuna tjera.
 
“Mendoj se bëri një gabim të madh. Bëri një gabim veçanërisht për kandidatët për kryetarë komunash nga i njëjti koalicion nga i cili po kandidon. Imagjinoni se çfarë do të ndodhë tani me Tetovën, Dibrën, Strugën dhe disa komuna të tjera. Një veprim kaq egoist nga një politikan nuk është parë në historinë e afërt të Maqedonisë. Të mendojë vetëm për vetën edhe interesin e tij personal, duke i harruar të tjerët që po luftojnë për të fituar në rrethin e dytë. Është vërtetë për të ardhur keq.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
 
VMRO-DPMNE mbrëmë vazhdoi fushatën edhe në Karposh të Shkupit, Kërçovë dhe komuna tjera, ku kandidatët e tyre kanë hyrë në balotazh. Ftojnë qytetarët që më 2 nëntor masivisht të rrethojnë numri nëntë të VMRO-DPMNE-së. Më 19 tetor, VMRO-DPMNE fitoi 33 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 550 vende në këshillat komunale.
 
REXHEP QAMILI