Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, AKI vazhdon fushatën në rrethin e dytë

27.10.2025 15:41

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim...

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për kryetar të komunës së Tetovës, Bajram Rexhepi, fton tetovarët që kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në ditën e votimit për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, siç thotë ai, të mos bien pre e presionit apo joshjeve të ndryshme. Më 2 nëntor do të fitojë Tetova, do të triumfojë vota e lirë dhe vullneti i qytetarëve, thotë Rexhepi.

Sipas tij, si asnjëherë më parë, ka një kontratë me qytetarët dhe me të gjithë ata që ia duan të mirën këtij qyteti, pa përjashtim. Rexhepi thekson se oferta e tij ofron zgjidhje afatgjate për Tetovën dhe qytetarët e saj për të gjitha problemet. 

“Ftojmë të gjithë qytetarët, që më 2 nëntor të dalin masivisht në zgjedhje, të mos bien pre e presioneve të ndryshme, shantazheve të ndryshme, e joshjeve të ndryshme që po bëhen në këtë periudhë, sepse ato janë vetëm zgjidhje të përkohshme, në ndërkohë që ne ofrojmë zgjidhje afatgjate, që të gjithë të rinjtë të kenë vende të reja pune. Ofrojmë zgjidhje konkrete për të gjitha problemet aktuale që tangojnë qytetin tonë, përfshi ujin e pijshëm. Ne i garantojmë tetovarët se do të kenë ujë të pijshëm 24 orë.”, - deklaroi kandidati i AKI-së për kryetar të Tetovës, Bajram Rexhepi.

Rexhepi thotë se aktualisht në rezervuarin dhe në rrjetin e shpërndarjes së ujit të pijshëm ka rreth nëntë milion metër kub ujë në vit, në ndërkohë që nevojat e qytetit janë shumë më pak. Sipas Rexhepit mospasja e ujit të mjaftueshëm për pije në Tetovë, është pasojë e keqmenaxhimit, prandaj qyteti rreth Sharrit nuk ka ujë të pijshëm.

Rexhepi njëherë premton se nën drejtimin e tij, Tetova do të jetë një qytet shumë më i pastër, duke e përfshirë edhe zgjidhjen për mbetjet inerte.

Po ashtu Rexhepi premton se do ta ndryshojë edhe metodologjinë e faturimit, që qytetarët për këtë shërbim të marrin fatura më të ulëta, pasi aktualisht, siç thotë ai, faturat për mbeturina janë të tejet të larta.

“Ofrojmë zgjidhje konkrete edhe për pastrimin e qytetit, do ta ndryshojmë metodologjinë për përllogaritjen dhe faturimin që bëhet ndaj qytetarëve, sepse nuk ka asnjë logjikë që faturimi të bëhet në bazë të hapësirave. Ne do ta ndryshojmë këtë metodologji dhe konkretisht i gjithë faturimi do të bëhet në bazë të banorëve, sepse banorët janë prodhuesit e mbetjeve. Gjithsesi do të ketë zgjidhje edhe për mbetjet inerte dhe përfundimisht Tetova do të jetë një qytet i pastër.”, - theksoi kandidati i AKI-së për kryetar të Tetovës, Bajram Rexhepi.

Fushatën për zgjedhjet lokale të 2 nëntorit e vazhdon edhe  kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim në Strugë, Arsim Dalipi, i cili së fundmi ka marr përkrahje edhe nga kandidati i pavarur në rrethin e parë, Besnik Asani, pasi ky i fundit nuk arriti të kalojë në rrethin e dytë.

Nga ana tjetër, kandidati për kryetar të Kërçovës, Fatmir Dehari, në kuadër të aktiviteteve parazgjedhore ka vazhduar fushatën në diasporë, duke ftuar mërgatën kërçovare, që më 2 nëntor të vijnë në vendlindje për të votuar.

Shpalosjen e programit të tyre për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale e kanë vazhduar edhe kandidati e AKI-së për kryetar të komunës së Studeniçanit, Ejup Abazi, dhe ai për kryetar të komunës së Bogovinës, Besnik Emshiu. (GYLTENE SINANI, TVM2)