Maqedoni
U arrestua drejtori i NP “Higjiena Komunale” – Shkup, Sabahudin Rustemi
27.10.2025 15:27
Policia e Shkupit ka arrestuar dy persona...

Sot pasdite, zyrtarë të policisë nga Sektori për Punë të Brendshme në Shkup kanë marrë dokumentacion shtesë dhe kanë arrestuar dy persona, të cilët dyshohet se janë përfshirë në keqmenaxhimin e mbeturinave në qytetin e Shkupit. Një nga personat e ndaluar është Sabahudin Rustemi, i cili aktualisht mban postin e drejtorit të “Higjienës Komunale” në Shkup, post të cilin e mori më 29 janar 2025 si pjesë e koalicionit midis kryetares së Shkupit, Danela Arsovska, dhe BDI-së. Këtë e konfirmojnë edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Zyrtarë policorë, me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike në Shkup, sot kanë arrestuar dy persona nga udhëheqja e Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” - Shkup, lidhur me dyshimet për kryerjen e një vepre penale sipas nenit 230 të Kodit Penal.”, - deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.
Rustemi më parë ka mbajtur postin e drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Saraj” nga 2017 deri në 2021, si dhe nga 2023 deri në 2024 ka qenë zëvendësdrejtor i Ndërmarrjes Publike “Parku dhe Gjelbërimi” në Shkup, në bashkëpunim me Arsovskën. Hetimet vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme lidhur me këtë çështje.
FITIM KRYEZIU
