Botë

Platforma e Nikoliqit, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës

25.05.2015 14:50

Presidenti serb, Tomisllav Nikoliç, nuk do të shkelë asnjëherë vijën e kuqe në marrëveshjet për Kosovën

Presidenti serb, Tomisllav Nikoliç, nuk do të shkelë asnjëherë vijën e kuqe në marrëveshjet për Kosovën, ai asnjëherë nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, ka deklaruar këshilltarja e presidentit serb, Stanisllava Pak, duke shpjeguar platformën mbi Kosovën të presidentit serb.

“Dëshirojmë të realizojmë atë që është njëfarë minimumi, atë mund ta pranojmë sipas kushtetutës. Se a është kjo reale a jo koha do ta dëshmojë”- është shprehur këshilltarja e Nikoliçit për TV Pink.

Sipas saj, pala shqiptare me shekuj ka strategjinë dhe planin si ta realizojë “Shqipërinë e madhe” dhe Serbia do të duhej të ketë planin se çfarë dëshiron në marrëdhëniet me palën shqiptare në Kosovë.

“Taktika më e keqe e mundshme do të ishte të mos kesh kurrfarë strategjie, kurrfarë platforme për biseda të mëtejshme me shqiptarët”- është shprehur ajo.

“Marrëveshja e Brukselit nuk është diçka që zgjidh gjithë atë situatë, ndërsa bëhet fjalë për njëfarë zgjidhjeje përfundimtare të raporteve tona lidhur me Kosovën”- ka shtuar Pak.

“Platforma është e prirur për ndryshime e përmirësime deri në kufirin nën të cilin presidenti nuk do të shkojë dhe ky është njohja e pavarësisë së Kosovës”- ka paralajmëruar këshilltarja e Nikoliçit.