Rajon
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, KQZ: Do të përmbushim mandatin kushtetues
27.10.2025 15:55
Pas dështimit për formimin e Qeverisë, Kosova mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme...

Pas dështimit për formimin e Qeverisë në Kosovë, presidentja në bazë të Kushtetutës së vendit do të duhet ta mandatojë partinë e dytë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, në rastin konkret PDK, edhe pse lideri i kësaj partie, Memli Krasniqi, ka deklaruar se nuk do të pranojë një mandatim të tillë, dhe se do të kërkojë që vendi të shkojë menjëherë në zgjedhje të reja. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për Radio Televizionin e Kosovës ka deklaruar se aktualisht janë të angazhuar në përmbylljen e procesit të zgjedhjeve lokale dhe organizimi i një procesi të ri zgjedhor brenda një periudhe kaq të shkurtër, përbën sfidë për KQZ-në dhe stafin.
“Organizimi i një procesi të ri zgjedhor brenda një periudhe të shkurtër, sigurisht që përbën sfidë për KQZ-në dhe stafin e saj, veçanërisht për faktin se jemi ende në fazën aktive të administrimit të zgjedhjeve lokale. Por, KQZ-ja, si gjithmonë, do të veprojë në përputhje me mandatin e saj ligjor dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme nëse vendoset për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.”, - deklaroi zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Maloku: Rrugëdalje janë zgjedhjet e parakohshme
Analisti politik nga Kosova, Albinot Maloku, për TVM2 ka deklaruar se shumë faktorë kanë ndikuar që Albin Kurti nuk pati mundësi t’i krijojë numrat.
“Kurti dhe lëvizja e tij nuk arritën të formonin këtë Qeveri, si pasojë e mungesës së koalicionit qeverisës, i cili do t’i mundësonte të ecte përpara dhe kjo rrodhi si pasojë e shumë faktorëve, dhe i gjithë procesi nga 9 shkurti i vitit rrjedhës e deri më sot ishte kalkulim, ishte strategji e dështuar politike, ku pasojat i mban qytetari dhe vendi.”, - theksoi analisti nga Kosova, Albinot Maloku.
Maloku thekson se mundësia e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme është e lartë.
“Probabiliteti i mundësisë është që të kemi të proces të parakohshëm zgjedhor në nivel vendi, kjo është rrugëdalja e cila vjen si pasojë e asaj që i pari pas procesit zgjedhor, nuk arriti të krijojë frymë bashkëpunuese, por vetëm frymë polarizimi që po i kushton vendit.”, - u shpreh analisti nga Kosova, Albinot Maloku.
Presidentja Osmani pritet që fillimisht t’i ftojë subjektet politike në një koordinim dhe pastaj të zbatohen dispozitat ligjore.
FITIM KRYEZIU
