Maqedoni
Fushata e zgjedhjeve lokale, analistët: Nuk ka në fokus problemet lokale
27.10.2025 16:06
Fushatës së zgjedhjeve lokale i ka munguar gara për platforma që forcojnë demokracinë lokale...

Fushatës së zgjedhjeve lokale i ka munguar gara për platforma që forcojnë demokracinë lokale, vlerëson për TVM2, profesori universitar, Bashkim Selmani. Ai thekson se narrativi është fokusuar kryesisht në përplasjet mes subjekteve politike dhe individëve, duke përzier karakterin e fushatës. Si rezultat, programet që duhet të ofronin partitë për përmirësimin e jetës dhe standardit të qytetarëve, të cilat janë kërkesa kryesore në zgjedhjet lokale, kanë qenë të pamjaftueshme.
“Nëse mund të vlerësojmë narrativin e këtyre subjekteve, por edhe mënyrën qoftë në nivelin qendror apo atë lokal, vlerësojmë se më pak që është përplasur, problemet reale që kanë qytetarët, por më tepër ka pasur rrethana që janë përqendruar në mënyrë individuale dhe subjekteve të caktuara, por jo gara për programe për forcimin e demokracisë lokale. Gjëja e dytë që është akoma më shqetësuese është se vetë kryeministri, në vend që të merret me proceset e aderimit në BE dhe detyrat që duhet të realizohen sa më parë, ndodh e kundërta ku pretendimet mes subjekteve kanë edhe karakter nacional dhe kjo nuk i bën nder demokracisë lokale, por përkundrazi bën komplikimin e këtyre rrethanave me të cilën paralelisht krijojnë formë më të cilin drejtpërdrejtë e vështirësojnë jetën e qytetarëve.”, - deklaroi profesori universitar, Bashkim Selmani.
Edhe analisti politik, Lulzim Farizi, i mendimit se fushata në këto zgjedhje lokale më tepër i ngjante fushatës së zgjedhjeve parlamentare sesa garës për pushtet lokal. Sipas tij, ishte një moment i një debati të rëndësishëm mes asaj se çfarë dëshiron populli dhe çfarë promovojnë partitë politike.
“Shpresoj që ky raund i dytë të kalojë qetë dhe rezultatet të jenë në favor të atyre partive politike shqiptare të cilat promovojnë projekte për zgjidhjen e problemeve konkrete tek shqiptarët, sidomos në ato komuna ku më pak është investuar në të kaluarën.”, - theksoi analisti politik, Lulzim Farizi.
Sipas Farizit, partitë garuese politike në këtë proces zgjedhor assesi nuk duhet të koncentrohen në çështje nacionale, por në çështje lokale që janë në interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
