Maqedoni
Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, VLEN vazhdon fushatën në Bërvenicë dhe Bogovinë
27.10.2025 16:43
Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të komunës së Bërvenicës, Haqim Ramadan...

Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të komunës së Bërvenicës, Haqim Ramadani, pas disa takimeve të realizuara në diasporë falënderon mërgimtarët e Bërvenicës për gatishmërinë e treguar për të ardhur në vendlindje më 2 nëntor për të dhënë votën e tyre në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Diaspora shqiptare vazhdimisht investon para në vendlindje, thotë Ramadani, por kjo diasporë di të investojë edhe për demokraci me dhënien e votës, duke votuar kandidatin e duhur për të udhëhequr me komunën e Bërvenicës, thotë ai.
“Falë Zotit, kemi ardhur mirë, të gjithë vëllezërit tanë na kanë pritur me dashuri. Ju faleminderit përzemërsisht që organizoheni të gjithë për të ardhur, për ta treguar demokracinë, për të treguar se ju dini të investoni edhe me para, por dini edhe në mënyrë demokratike të vini të investoni me votë dhe të tregoni se cili kandidat është më i mirë, më i drejtë për ta udhëhequr komunën e Bërvenicës.”, - deklaroi kandidati i VLEN-it për kryetar të Bërvenicës, Haqim Ramadani.
Ramadani, i cili në rrethin e dytë për kreun e Bërvenicës është në garë me kandiatin e VMRO-DPMNE-së, Jovica Ilievski, ka vizituar mërgatën nga Bërvenica në Gjermani, Austri dhe Zvicër, duke i ftuar ata që të mobilizohen dhe më dy nëntor të vijnë në vendlindje për të votuar.
Fushatën po e vazhdon edhe kandidati për kryetar të komunës së Bogovinës nga koalicioni VLEN, Feti Abazi. Ai thotë se ofron një program zhvillimor, me të cilin po i njofton qytetarët në takime të organizuara në secilin vendbanim të kësaj komune.
Abazi thotë se synimi i tij është që oferta programore e tij të arrijë deri te qytetari i fundit, pasi ofron zgjidhje për të gjitha problematikat me të cilat përballen banorët e Bogovinës, duke përfshirë edhe problemet me ujin e pijshëm, ndërtimi i infrastrukturës modern apo ambientin jetësor sa më të pastër, përfshi pastrimin e deponive të egra.
“Problematikat e ujësjellësve që ekzistojnë në territorin e komunës së Bogovinës, me projektet infrastrukturore, investime kapitale dhe në ekologji me pastrimin e deponive të egra. Pastaj, qasja jonë institucionale, mendojmë të tregojmë institucion apo komunë transparente.”, - theksoi kandidati i VLEN-it për kryetar të Bogovinës, Feti Abazi.
Koalicioni VLEN vazhdon fushatën për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale edhe në komunat tjera ku garojnë kandidatët e saj, si komuna e Tetovës, ku në garë është kryetari aktual i kësaj komune, Bilall Kasami.
Në komunën e Dibrës, në rrethin e dytë nga koalicioni VLEN garon Fisnik Mela dhe në komunën e Dollnenit votën e dibranëve si kandidat i këtij koalicioni e kërkon Blerim Islami.
Po ashtu koalicioni VLEN që nga rrethi i parë e mbështet kandidatin e pavarur në Strugë, Mendi Qyra. Ndërsa në rrethin e dytë, VLEN-i ka shprehur mbështetje për kandidatin e pavarur në komunën e Studeniçanit, Azem Sadiku.
FITORE DEMOLLI
