Maqedoni
Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, VLEN, VMRO-DPMNE dhe Lëvizja “E di” vazhdojnë fushatën
27.10.2025 17:17
Koalicioni VLEN ka vazhduar me kritikat në adresë të oponentit politik...

Koalicioni VLEN ka vazhduar me kritikat në adresë të oponentit politik, AKI, duke theksuar se fija e shpëtimit të këtij subjekti është bashkëpunimi me partinë E Majta.
Sipas VLEN-it, fitorja e VLEN-it në Çair, Saraj, Haraçinë, Zhelinë, Tearcë dhe epërsia në Tetovë, Bogovinë, Dibër, Strugë, Bërvenicë e Dollnen zhveshën përfundimisht patriotizmin e rremë të treshes në agoni Ahmeti–Taravari–Sela.
"Dhe, ja ku përfunduan në përqafim me partinë pro-ruse dhe anti-NATO, E Majta. Kjo është fija e fundit e kashtës së shpëtimit për Ali Ahmetin, Zijadin Selën dhe Arben Taravarin", theksojnë nga VLEN.
Ndërkohë VMRO-DPMNE ka apeluar te qytetarët që më 2 nëntor para së gjithash të votojnë për njeriun, e më pas edhe për partinë, e cila di të punojë për qytetarët. Sipas VMRO-DPMNE-së, me Orce Gjorgjievskin dhe shumicën në Këshill, do t’i vendosen themelet e ndryshimeve që janë të nevojshme për kryeqytetin.
Edhe Lëvizja “E di” kërkojnë përkrahjen në rrethin e dytë, pasi kandidati për komunën Qendër të Shkupit, Mirosllav Llabudoviq, dhe kandidati për kryetar të Kumanovës, Maksim Dimitrievski, thonë se presin rritje të mbështetjes së qytetarëve në rrethin e dytë të zgjedhjeve më 2 nëntor.
