Botë

ShBA dhe Kina drejt marrëveshjes për tarifat tregtare

27.10.2025 18:45

Dy ekonomitë më të mëdha në botë, ShBA dhe Kina, kanë arritur një marrëveshje paraprake për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare....

Dy ekonomitë më të mëdha në botë, ShBA dhe Kina, kanë arritur një marrëveshje paraprake për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare. Lajmi ndikoi pozitivisht në bursat botërore, ku u regjistrua rritje e çmimeve të aksioneve. Pritet që dy vendet t’i zbusin dallimet tregtare në takimin mes presidentëve Tramp dhe Xi Jinping të enjten në Korenë e Jugut.
 
“Do të bisedoj me presidentin Xi. Një ditë do të ndalemi në Japoni, pastaj në Korenë e Jugut dhe do të zhvillojmë edhe disa bisedime të tjera që lidhen me tregtinë.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Pekini së fundmi kufizoi eksportin e mineraleve të rralla tokësore, të domosdoshme për teknologjitë e avancuara, ndërsa Trampi reagoi duke kërcënuar me vendosjen e tarifave shtesë ndaj produkteve kineze. Lufta tregtare tronditi ekonominë amerikane, rriti inflacionin dhe ndikoi negativisht në bujqësi dhe biznes.
 
“Sapo përfunduam dy ditë negociata dhe krijuam një kornizë për bisedimet mes dy liderëve të enjten në Korenë e Jugut. Presidenti Tramp më dha fuqi të madhe negociuese me kërcënimin për tarifa 100% më 1 nëntor. Besoj se kemi arritur një marrëveshje të rëndësishme që do ta shmangë këtë dhe do të na lejojë të diskutojmë shumë çështje të tjera me kinezët.”, - theksoi sekretari amerikan i thesarit, Skot Besent.
 
Tarifat e larta po ndryshojnë ekonominë botërore, theksoi kryeministri kinez gjatë samitit të ASEAN-it në Kuala Lumpur. Li Keqiang nënvizoi nevojën për forcimin e ekonomisë rajonale.
 
“Për shkak të ndryshimeve të ndërlikuara në peizazhin ndërkombëtar ekonomik dhe tregtar, veçanërisht për shkak të çrregullimeve të shkaktuara nga tarifat e larta dhe faktorë të tjerë, ndjejmë se vështirësitë dhe sfidat me të cilat përballet ekonomia e Azisë Lindore po shtohen, ndërsa pasiguria dhe paqëndrueshmëria në zhvillim po rriten ndjeshëm.”, - u shpreh kryeministri i Kinës, Li Keqiang.
 
Kreu i Shtëpisë së Bardhë, gjatë samitit të ASEAN-it në Kuala Lumpur, nënshkroi marrëveshje tregtare reciproke me tarifë 19 për qind me homologët nga Tajlanda, Malajzia dhe Kamboxhia. Në të njëjtën kohë, po zhvillohen bisedime mes ekipeve të ShBA-së dhe Brazilit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare.
 
FARIJE DAUTI BAKIU