Maqedoni

Bashkësia Fetare Islame: mbijetuam sulmin e radhës kundër BFI-së

25.05.2015 15:17

Bashkësia Fetare Islame ka reaguar pas pres konferencës së fundit të grupit që mbështet myftiun e shkarkuar të Shkupit...

Qëndrimi i Rijasetit të BFI-së ka qenë unik, thonë nga BFI në një reagim për mediat.
 
“Përgjatë 13 ditëve të uzurpimit të zyrave të BFI-së, Rijaseti demonstroi unitetin, jetën institucionale, si dhe qëndrimin e pathyeshëm përballë lojërave të rrezikshme që mëtojnë goditjen përfundimtare, madje deri në shkatërrim të BFI -së. “Puçistët” u larguan nga radhët e BFI-së, ndërsa Rijaseti, më 22 maj të vitit 2015, emëroi persona eminentë në vendet vakante të krijuar pas dëbimit të “rebelëve”, të cilët u dëshmuan se janë pjesë e mekanizmit anti-islam në vend dhe më gjerë”- thonë nga BFI.
 
Sipas BFI-së, grupi i këtyre njerëzve që duan të marrin kontrollin e BFI-së paralajmëron një lojë të re, madje duke menduar se të gjithë në BFI do të solidarizohen me ta, shkuan edhe në variantin e krijimit të një situate konfliktuoze në Bashkësinë Islame. 
 
“Ata nuk e njohin asnjë organ dhe asnjë institucion të BFI-së, ndërsa prej të njëjtave organe dhe institucione kërkojnë që të njihen si ‘faktorë’, përndryshe do të protestojnë. Ata menduan se tërë BFI duhet të solidarizohet me sjelljet e tyre shkatërrimtare, shkuan edhe në variantin për të provokuar gjakderdhje vetëm e vetëm për ta njollosur BFI-në”.
 
Por, nga BFI thonë se ky grup nuk arriti t’i bëjë asgjë institucionit, i cili edhe më herët është përballur me përpjekje për ta shkatërruar BFI-në, ka përjetuar dhe ka mbijetuar lehtësisht përpëlitje të tilla, madje edhe më të rrezikshme se kjo e fundit e këtij grupi delikuentësh.
 
Zoti është me organizatorët e avancimit të jetës islame dhe jo me organizatorët e shkatërrimit të kësaj jete, thuhet në reagimin e BFI-së.
 
REXHEP QAMILI