Shëndetësi, interes i madh për vaksinimin sezonal kundër gripit
28.10.2025 12:27
Ministria e Shëndetësisë njofton se po rritet vazhdimisht interesimi i qytetarëve për vaksinimin kundër gripit sezonal...

Ministria e Shëndetësisë njofton se po rritet vazhdimisht interesimi i qytetarëve për vaksinimin kundër gripit sezonal. Deri më tani janë regjistruar mbi 70 mijë persona, ndërsa mbi 22 mijë prej tyre tashmë janë vaksinuar në gjithë vendin. Procesi i vaksinimit po zhvillohet në 35 pika, prej të cilave pesë ndodhen në Shkup. Qytetarët e interesuar mund të paraqiten për vaksinim përmes platformës vakcinacija.mk ose përmes mjekut të tyre amë.
“Në organizim të Ministrisë, ekipe preventive nga institucionet shëndetësore në mbarë vendin po vazhdojnë me vaksinimin në terren dhe në kushte shtëpie për personat e moshuar dhe të palëvizshëm, si dhe për personat me aftësi të kufizuara.”, shtojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Me vaksinim falas janë përfshirë kategoritë e rrezikuara të popullsisë, siç janë: personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna, fëmijët nga 6 muaj deri në 5 vjeç, personat e vendosur në institucione për mbrojtje sociale të të moshuarve dhe punonjësit në këto institucione.
VLORA LATIFI TOPOJANI
