Kurti: Dy palë zgjedhje të parakohshme deri në pranverë

28.10.2025 13:05

Pasi ka dështuar që të marrë votat e nevojshme...

Pasi ka dështuar që të marrë votat e nevojshme për t’u rizgjedhur kryeministër, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka paralajmëruar se vendi do të shkojë dy herë në zgjedhje të parakohshme deri në pranverën e vitit të ardhshëm.

Përveç zgjedhjeve të reja, që pritet të shpallen për shkak të dështimit për të formuar qeverinë e re, Kurti ka thënë se zgjedhje do të ketë edhe në fillim të vitit të ardhshëm, pasi sipas tij, do të dështohet që të zgjidhet presidenti i ri me legjislaturën që do të dalë nga zgjedhjet që parashikohet të mbahen në dhjetor.

Kurti ka thënë se për votimin e qeverisë të dielën ka bërë përpjekjet maksimale.

Ai ka thënë se nuk i ka rënë pishman që ofertë për bashkëqeverisje i ka bërë Lidhjes Demokratike të Kosovës, që në Kuvend është e përfaqësuar me 20 deputetë, si dhe Nismës Socialdemokrate që ka siguruar tri ulëse në legjislaturën e nëntë.

Përveç LDK-së e Nismës, ofertë për bashkëpunim ka thënë se nuk u ka bërë subjekteve të tjera politike, pasi sipas kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje “tjetër çka nuk është mirë për shtetin”.

Sipas Kushtetutës, pas dështimit të votimit të suksesshëm të mandatarit të parë, presidentja Vjosa Osmani ka kohë 10 ditë që të zhvillojë diskutime e të caktojë mandatarin e dytë.

Mandatari i dytë ka kohë 15 ditë të tjera që të prezantojë programin e përbërjen e qeverisë së re.

Por, në rast se edhe i caktuari i dytë për kryeministër nuk merr votat e nevojshme, presidentja duhet të shpallë zgjedhjet, e që duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga dita e shpalljes së tyre.