Maqedoni

IShP: Gjendja epidemiologjike, stabile

28.10.2025 14:04

Gjendja epidemiologjike aktualisht është stabile, edhe pse kryeqyteti ishte i mbytur kohëve të fundit nga mbeturinat....

Gjendja epidemiologjike aktualisht është stabile, edhe pse kryeqyteti ishte i mbytur kohëve të fundit nga mbeturinat. Nga IShP për TVM2 thonë se kontejnerët me shumë plehra janë kushte ideale për të gjitha llojet e minjve dhe insekteve, të cilët kanë fazën e tyre të zhvillimit dhe të ciklit jetësor që në bazë të kushteve atmosferike, kur bie shi, kur ngrohen temperaturat, ato kanë kushte ideale për t’u shumuar.
 
“Nga ana shëndetësore është një çështje tjetër, sepse kur popullata e këtyre minjve apo insekteve të padëshiruara rritet në mënyrë aq të madhe, atëherë është krejtësisht e supozuar që të mund të priten infeksione të ndryshme  që ata bartin parazitë, bakterie,viruse, të cilat në disa raste mund të kalojnë dhe mund të ketë njerëz që kanë kaluar  një infeksion prej tyre, por në disa raste mund të kalojnë në mënyrë të padiagnostikuar asimptomatike, por ka edhe lloje virusesh ose bakteresh, që shkaktojnë infeksione që përfundojnë me fatalitet.”, - deklaroi Erjona Gjoncari Shaqiri nga IShP.
 
Shaqiri: Kujdes nga mbeturinat në rrugë
 
Erjona Gjoncari Shaqiri nga IShP po ashtu thekson se rrezik më të madh nga mbeturinat e papastruara mund të kenë fëmijët dhe të sëmurët kronikë.
 
“Njerëzit me sëmundje kronike çdo lloj infeksioni e pranojnë më rëndë. Nëse vihet re në këto rreziqe që i përmenda në infeksionet, siç janë hanta virusi apo neptospiroza, salmoneloza, që përveç burimeve të tjera, njëra nga këto është edhe transmetimi nëpërmjet feceve të minjve, ato raste që kanë arritur në klinikë mund të jenë shumë të rralla, sepse deri tani në shtetin tonë nuk ka pasur epidemi që ne të informohemi. Në raste kur ka epidemi mblidhet komisioni për sëmundje infektive dhe ne informohemi në mënyrë automatike të gjithë për një situatë epidemike. Deri tani ne nuk kemi pasur alarm shëndetësor nga Ministria e Shëndetësisë, që jemi në rast epidemie, pavarësisht se situata në pamje duket e keqe.”, - theksoi Erjona Gjoncari Shaqiri nga IShP.
 
Nga IShP-ja rekomandojnë që punonjësit e higjienës komunale të mbrohen me maska dhe veshje speciale. E njëjta vlen edhe për qytetarët që kanë kontakt me mbeturinat. Po ashtu është e nevojshme që qytetarët mbeturinat e hedhura t’i mbyllin mirë, që qeska të mos hapet për të shpërndarë aromë të keqe dhe mikrobe të ndryshme. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI