Maqedoni

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, VMRO - DPMNE mbajti tubim në Probishtip

28.10.2025 14:15

“Është koha që qyteti i Probishtipit përsëri të bëhet qytet i energjisë dhe i ideve.”...

“Është koha që qyteti i Probishtipit përsëri të bëhet qytet i energjisë dhe i ideve.”. Ky është mesazhi i kandidatit të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit për komunën e Probishtipit, Toni Tonevski, i cili mbrëmë ua përcolli banorëve të këtij qyteti. Tha se është koha që ky qytet të kthehet në binaret e zhvillimit dhe përparimit, duke investuar me projekte konkrete infrastrukturore përmes së cilëve do të përmirësohet jeta dhe përditshmëria e qytetarëve në këtë qytet. Njëkohësisht Tonevski u shpreh i kënaqur edhe nga rezultatet e rrethit të parë. Sipas tij, qytetarët kanë dëshmuar besim dhe dëshirë për ndryshime dhe se VMRO-DPMNE ka siguruar shumicë të qëndrueshme në këshillin komunal.
 
“Banorët e Probishtipit e njohën zgjidhjen e duhur, programi i cili premton punë, zhvillim dhe një të ardhme të sigurt. Mjaft ishte apati dhe ngecje, është koha për një fillim dhe zhvillim të ri afatgjatë. Programi im është përpiluar së bashku me qytetarët dhe përfshin projekte për të rinjtë, turizmin, sportin dhe industrinë. Plani im parashikon urbanizim të ri, ndërtim të vendbanimeve dhe një zone industriale për kompanitë jondotëse, krijimin e vendeve të reja të punës dhe paga më të larta.”, - deklaroi kandidati i VMRO-DPMNE-së për kryetar në Komunën e Probishtipit, Toni Tonevski.
 
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, u tha banorëve se e ardhmja e tyre nuk ndërtohet duke abstenuar nga votimi ose bojkotuar zgjedhjet. Nëse këtë e bëni, u tha Mickoski banorëve, atëherë u lejoni të tjerëve që do të votojnë, të vendosin për të ardhmen tuaj, e jo gjithmonë vendimi i tyre, premton zhvillim. Andaj Mickoski u bëri thirrje banorëve të Probishtipit dhe jo vetëm, që më 2 nëntor, ata të mos shprehin revolt në këtë mënyrë, por përkundrazi masivisht të dalin dhe të rrethojnë numrin 9 të VMRO-DPMNE-së, e cila premton zhvillim të madh dhe të barabartë komunal dhe jetë më të mirë për të gjithë. 
 
“Nëse dëshironi  bashkërisht të ndërtojmë të ardhmen tonë  dhe të trasojmë rrugën, atëherë ejani masivisht të dalim dhe të marrim pjesë në zgjedhje, duke votuar atë që mendojmë se është kandidati më i mirë. Për këtë arsye, thirrja ime sonte për banorët e Probishtipit është, që të dielën më 2 nëntor të dilni sa më masivisht dhe të jepni votën tuaj, ashtu siç mendojnë se është më mirë për ta dhe komunat.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
 
Kandidatët për kryetarë të komunave të dominuar nga VMRO-DPMNE dhe Koalicioni, të cilët  garojnë në rrethin e dytë zgjedhor në gjithsej 24 komuna, mbrëmë vazhduan fushatën e tyre, ku patën takime me qytetarë dhe prezantuan programin e tyre. Aktivitete të tilla zgjedhore patën edhe në Makedonski Brod, Karposh dhe komunën Qendër.  
 
REXHEP QAMILI