Ekonomi
Pagesat digjitale, Sllaveski: SEPA mundëson transfere më të lira
28.10.2025 14:23
Banka Popullore e vendit me Bankën Qendrore të Holandës po thellon bashkëveprimin për shërbime pagesore digjitale...

Banka Popullore e vendit në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Holandës po thellon bashkëveprimin për shërbime pagesore digjitale me institucione bankare ndërkombëtare, banka afariste dhe ofrues të tjerë të shërbimeve pagesore. Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, në konferencën e organizuar në Ohër tha se përfshirja e vendit në SEPA (zona e vetme e pagesave në euro), do të sjellë përfitime reale për qytetarët dhe kompanitë. Sipas tij, transferi i parave në euro përtej kufijve të vendit është dukshëm më i lirë.
“Remitencat tejkufitare në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë për 32% më të shtrenjta se sa transferet në pjesë të tjera të botës. Ky dallim do të tejkalohet me integrimin në SEPA. Për ndërmarrjet afariste, transferin tejkufitar në BE p.sh. të 5 mijë eurove, nëpërmjet kanaleve bankare kushton 0.58%, ndërkaq transferi prej 20 mijë eurove rreth 0.38% nga vlera e përgjithshme. Ndërkohë në kuadër të SEPA-s vlera është 0.01%, një ulje e theksuar.”, - deklaroi guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski.
Jo vetëm bankat e Maqedonisë së Veriut, por edhe Shqipëria, Mali i Zi dhe Moldavia nga 7 tetori kanë nisur realizimin e transakcioneve nëpërmjet SEPA-s, që paraqet hap konkret drejt afrimit financiar dhe ekonomik me BE-në.
“Anëtarësimi në SEPA ishte rezultat i të gjitha përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë dhe të gjithë sistemit bankar së bashku për ta modernizuar që sistemi i pagesave të bëhet një sistem efikas, me çka ulen shpenzimet për kompanitë.”, - u shpreh zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi.
Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, përfitimet për qytetarët e rajonit në nivel vjetor do të arrinin shifrën deri në 500 milionë euro. Gjithashtu edhe kompanive të vogla dhe të mesme, SEPA u siguron kursime të konsiderueshme. Guvernatori Sllaveski paralajmëroi hapin strategjik të radhës me pagesat instant, iniciativë kjo rajonale për lidhjen e sistemeve pagesore midis veti, por edhe me sistemin pagesor evropian. Kompanitë e vogla dhe të mesme do të mund t’i realizojnë pagesat brenda sekondave.
MERAL ISMAILI
