Maqedoni

Shkup, Forumi Ndërkombëtar për Energjinë

28.10.2025 14:44

Në tre ditët e ardhshme, Shkupi do të jetë nikoqir i Forumit të 14-të Ndërkombëtar për Zhvillim të Qëndrueshëm të Energjisë...

Në tre ditët e ardhshme, Shkupi do të jetë nikoqir i Forumit të 14-të Ndërkombëtar për Zhvillim të Qëndrueshëm të Energjisë, me moton “Nga qëllimet në veprim”. Në këtë forum do të marrin pjesë mbi 1.000 përfaqësues nga më shumë se 70 vende të botës. Ministrja Sanja Bozhinovska theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për një të ardhme energjetike të qëndrueshme.
 
“Tranzicioni Energjetik nuk është garë mes shteteve, por kjo është një udhëtim i përbashkët dhe asnjë vend i botës, sa do të jetë e madhe nuk do të mundet që e vetme t’u bëjë ballë sfidave klimatike, por bashkërisht mund të ndërtojmë sisteme më të qëndrueshme dhe më të pasura. Roli ynë si ministra dhe lider, është që të krijojmë kushte, me qëllim që ky tranzicion të jetë i drejtë, i qëndrueshëm dhe inkluzive, por edhe të kujdesemi që askush të mos mbetet mbrapa nesh.”, - deklaroi ministrja e Energjisë dhe Minierave, Sanja Bozhinovska.
 
Përfaqësuesi i OKB-së në vend, Armen Grigorian, theksoi se siguria energjetike dhe qëndrueshmëria klimatike janë sfida globale që prekin të gjitha vendet.
 
“Patjetër duhet të dimë se siguria energjetike dhe qëndrueshmëria klimatike janë dy anët e të njëjtës medalje dhe ne domosdoshmërish duhet të lëvizim nga pranimi i obligimeve deri tek implementimi konkret.”, - deklaroi përfaqësuesi i përhershëm i OKB-së në Maqedoni, Armen Grigorian.
 
Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi përkushtimin e Qeverisë për mbështetjen e reformave të Ministrisë së Energjetikës.
 
“Ne si Qeveri qëndrojmë fuqishëm pas reformave të cilat po i realizon Ministria për Energjetikë, por jo më pak e rëndësishme është fakti se ne po krijojmë rrugën lidhëse mes politikës dhe vizionit. Vizioni ynë është i qartë, ta përgatisim vendin tonë për vizionin e ndryshimeve klimatike, për ndryshimet teknologjike dhe për rreziqet globale.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski. 
 
Sekretarja ekzekutive e UNECE-së, Tatjana Molçani, u bëri thirrje vendeve të bashkohen në zbatimin e planeve strategjike kombëtare.
 
“Të gjithë partnerët duhet të kontribuojmë që të gjejmë zgjidhje të drejta, me qëllim që strategjitë tona nacionale t’i ndajmë dhe me këtë edhe të tregojmë zgjidhje të duhura inovative dhe teknologjike, nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare, sektori privat, shoqëria akademike, por edhe të sigurojmë mekanizma të ndryshme financiare për investime.”, - u shpreh sekretarja ekzekutive e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropë, Tatjana Molçani.
 
Në kuadër të këtij forumi do të nënshkruhet “Deklarata e Shkupit”, duke forcuar rolin e RMV-së si partner i besueshëm në tranzicionin global energjetik.
 
FITIM KRYEZIU