Kaosi me mbeturinat në kryeqytet, nis hetimi për menaxherët e NP “Higjiena Komunale”

28.10.2025 15:20

Prokuroria Themelore e Shkupit ka hapur hetim kundër Sabahudin Rustemit...

Prokuroria Themelore e Shkupit ka hapur hetim kundër Sabahudin Rustemit, ushtrues detyre drejtor në Ndërmarjen Publike “Higjiena Komunale”, si dhe Aki Saiti, menaxhues me mbeturinat brenda ndërmarrjes.

Prokuroria nga Gjykata Penale e Shkupit kërkon të shqiptojë masën e paraburgimit për dy të dyshuarit. Ata nga Prokuroria ngarkohen për veprën rrezikim me mbeturina të ambientit jetësor dhe natyrës.

“Të dyshuarit, bashkë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin për menaxhim të mbeturinave dhe angazhimit të tyre bazik për grumbullimin e rregullt të mbeturinave në rajonin e Shkupit. Me lëshimin në mbikëqyrjen e plotë në mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave, si dhe menaxhimin joadekuat të të njëjtit, ata gjatë muajit kanë mundësuar që të krijohen deponi të vogla në vende publike në afërsi të koshave të plehrave, me çka kanë shkaktuar dëmtimin e ajrit dhe ujit dhe kanë vënë në rrezik shëndetin e njerëzve nga sëmundjet infektive.”, theksojnë nga Prokuroria Themelore e Shkupit.

Të dhënat e tilla janë konstatuar nga inspektorët gjatë inspektimeve të tyre në terren. Për këtë vepër të apostrofuar nga Prokuroria vijon dënim nga 1 deri në 10 vite burg. Rustemi dhe Saiti akoma mbahen në stacionin policor në Gazi Babë, pasi dje u shoqëruan në polici, për shkak të kaosit me mbeturinat në kryeqytet. (Meral Ismaili, TVM2)