Rama: Drejtësia ndaj UÇK-së, në devijim

28.10.2025 15:39

Për kryeministrin shqiptarë Edi Rama...

Për kryeministrin shqiptarë Edi Rama, procesi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Gjykatën e Hagës dhe vetë Gjykata kanë dalë nga shinat. Në një postim në rrjetet sociale, të shoqëruar me një foto të Hashim Thaçit dhe ish-komandantit të NATO-s, Ueslej Klark, që pritet të dëshmojë në Hagë pro UÇK-së, Rama shtron pyetje.

“A nuk është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës së gjatë të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve duhet të paraqiten para një gjykate për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim, se rebelimi ndaj një diktature nacional-socialiste nuk është faj, se shteti i ri e sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, po nga gjaku i një ushtrie çlirimtare?!”, - u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kryeministri e quan një turp për drejtësinë ndërkombëtare dhe kritikoi ata që e trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik.

“Kur atyre t’u jetë harruar nami e nishani dhe asaj gjykate t’i ketë mbetur vetëm njolla e turpit të historisë, emri i Hashimit do të mbetet përgjithnjë si emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Dëshmia shumë e rëndësishme e Ueslej Klark në Hagë u konfirmua vetëm pak ditë më parë nga mbrojtja e Hashim Thaçit.

Klark udhëhoqi operacionin 78-ditor të NATO-s kundër Serbisë, që detyroi Millosheviçin të tërhiqte forcat serbe nga Kosova në qershor të vitit 1999.

Për dëshminë e tij, mbrojtja e Thaçit ka marrë një autorizim edhe nga qeveria amerikane. (Luljeta Ndoka, TVM2)