Maqedoni

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, kandidatët e AKI-së vazhdojnë fushatën

28.10.2025 16:17

Dalipi ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me nismën qytetare “Struga vepron”

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për kryetar të komunës së Strugës, Arsim Dalipi, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me nismën qytetare “Struga vepron”, e cila në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale të 19 tetorit, garoi me kandidatin e saj të pavarur për kryetar komune, Besnik Asanin. Siç bëri të ditur Dalipi, ata kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, e cila përmban katër shtylla. Këto shtylla do të jenë bazament i çdo vendimi, e çdo projekti në mandatin e ardhshëm katërvjeçar, tha Dalipi, nëse ai zgjidhet në krye të Strugës. 
 
“Nën një, Strugë e pastër dhe ekologjike, luftë e hapur kundër ndotjes dhe deponive ilegale. Do ta pastrojmë Strugën rrënjësisht dhe do ta kthejmë jetën pranë Drinit dhe liqenit. Nën dy, administratë funksionale dhe transparente, mjaft më punësime partiake, do të punojnë njerëzit profesionistë me meritë dhe jo me lidhje politike. Nën tre, digjitalizim i plotë i komunës, çdo shërbim komunal do të jetë online.”, - deklaroi kandidati i AKI-së për kryetar të Strugës, Arsim Dalipi.
 
Pika e katërt e deklaratës, sipas Dalipit, është lufta e pamëshirshme kundër korrupsionit dhe krimit. Ai tha se do të bëhet edhe auditim i plotë i komunës dhe kushdo që ka vjedhur pasurinë publike, do të përballet me drejtësinë. Dalipi njëherësh ka demantuar pretendimet e oponentëve politikë se ka marrë vota nga E Majta që në rrethin e parë të zgjedhjeve. Numrat nga rezultatet në KShZ flasin se ato janë spekulime, thekson Dalipi. 
 
“Së pari E Majta kishte kandidatin e vet, kandidaten e vet për kryetare komune dhe nuk ka asnjë sens të më kenë mbështetur mua. Dhe së dyti ose shtabi analitik i kundërkandidatit i ka bërë gabim llogaritë apo janë fillestarë, se ia kanë servuar nga shtabi i padronëve ato informacione të rreme për ato numra. Numrat janë të evidentuara dhe janë fakte që flasin vet, prandaj të mos merren me spekulime.”, - theksoi kandidati i AKI-së për kryetar të Strugës, Arsim Dalipi.
 
Ai njëherësh i quajti hipokrizi akuzat e kundërkandidatit se u janë bërë shantazhe votuesve, pasi, siç tha Dalipi, dihet se kush bleu vota, e kush asfaltoi në kohë fushate. A njëherësh ka pyetur kundërkandidatin se në çfarë cilësie ai ka vizituar spitalet e Strugës në shoqëri me ministrin e Shëndetësisë? Dalipi njëherësh theksoi se ka vizion për një Strugë më të mirë dhe për ta sjellë ndryshimin e vërtetë që i duhet Strugës, ndërsa, siç tha ai, kundërkandidati thirret vazhdimisht në ndryshim, por Dalipi pyet nëse atë ndryshim do ta bëjë me urdhrat e padronëve apo me aparaturën e shtetit, që këtyre ditëve ka qëndruar në Strugë? Po ashtu Dalipi tha se kundërkandidati i tij e ka edhe mbështetjen e Ramiz Merkos, një personaliteti, që, siç tha ai, është mbi 20 vite në politikë dhe doli publikisht në mbështetje ndaj Mendi Qyrës.
 
Kandidatët e AKI-së vazhdojnë fushatën edhe në komunat tjera ku garojnë në rrethin e dytë,  Bajram Rexhepi në Tetovë, Fatmir Dehari në Kërçovë, Besnik Emshiu në Bogovinë dhe Ejup Abazi në Studeniçan. 
 
GYLTENE SINANI