Maqedoni

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, Kasami shpalosi ofertën për sport dhe arsim

28.10.2025 17:17

Kasami bëri të ditur se një pjesë të programit të tij parazgjedhor ia ka kushtuar sportit...

Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të komunës së Tetovës, Bilall Kasami, bëri të ditur se një pjesë të programit të tij parazgjedhor ia ka kushtuar sportit. Në këtë sferë ai thekson përfundimin e punimeve për ndërtimin e stadiumit të ri të qytetit, ku ekipet dhe reprezentacioni shtetëror do të mund të zhvillojnë edhe ndeshje me karakter ndërkombëtar. Po ashtu Kasami paralajmëron edhe ndërtimin e terreneve të reja për futboll në disa vendbanime, ndërtimin e sallave të reja sportive dhe pishinave. 
 
“Përfundimin e ndërtimit të stadiumit të qytetit, me çka Tetova do të ketë një stadium, ku ekipet lokale Shkëndija dhe të tjerat, por edhe ekipi nacional, do të mund të zhvillojnë ndeshje ndërkombëtare. Po ashtu do të ndërtohen tre terrene të reja futbollistike për ekipet lokale. Po ashtu planifikojmë në kuadër të projekteve për sportin ndërtimin e tre pishinave nga të cilat dy veç më kanë nisur të ndërtohen. Planifikojmë ndërtimin e gjashtë sallave sportive.”, - deklaroi kandidati i VLEN-it për kryetar të Tetovës, Bilall Kasami.
 
Kasami paralajmëron edhe investime në arsim, përkatësisht ndërtimin e objekteve të reja të shkollave fillore dhe të mesme, si dhe investime në Kodrën e Diellit. 
 
“Ndërtimin e dy objekteve të shkollave të mesme dhe tre objekteve të shkollave fillore. Po ashtu planifikojmë ta zhvillojmë Kodrën e  Diellit, duke e ndërtuar teleferikun nga Tetova deri në Kodrën e  Diellit. Këtu veç më kemi realizuar disa projekte që kanë të bëjnë me depërtimin e një rruge të re përskaj lagjes së vikend-shtëpizave, rruga kryesore aksi kryesorë në qasje të vikend-shtëpizave është asfaltuar.”, - theksoi kandidati i VLEN-it për kryetar të Tetovës, Bilall Kasami.
 
Kasami po ashtu në programin e tij katërvjeçar thotë se e ka edhe mbështetjen e aktiviteteve kulturore, si dhe mbështetjen e turizmit. Ai thekson se nëse merr mandatin për të vazhduar me drejtimin e Tetovës, do të angazhohet për zhvillim të shpejtë të qytetit dhe standarde evropiane në çdo sferë. Në kuadër të fushatës për rrethin e dytë, Kasami ka vizituar shtabet në Drenovec dhe Poroj, ku me qytetarët e pranishëm është biseduar rreth punëve që janë bërë gjatë mandatit të parë dhe planet për mandatin e ardhshëm.  Poroji dhe Drenoveci do të vazhdojnë të zhvillohen dhe të transformohen si e gjithë Tetova, thekson Kasami. Ai ka realizuar edhe takime me qytetarët në Tetovë, dhe siç thekson ai, në sytë e tetovarëve shihet dashuria për qytetin, dëshira për zhvillim dhe besimi që kanë se Tetova mund të jetë vend më i mirë për të jetuar. Qytetarët nuk kërkojnë shumë, vetëm duan dinjitet dhe mundësi për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu. Më 2 nëntor vendosim bashkë për rrugën që kemi nisur. Për Tetovën e rinisë, për Tetovën e shpresës, për Tetovën që e duam të gjithë, thekson Kasami.
 
Koalicioni VLEN vazhdon fushatën edhe në komunat tjera, ku kandidatët e saj garojnë në rrethin e dytë, si në Bërvenicë, Dollnen dhe Dibër. Po ashtu VLEN mbështesin kandidatin e pavarur për kryetar të Strugës. 
 
FITORE DEMOLLI