Maqedoni

Danielson: përgjegjësi politike për besim në institucione

25.05.2015 16:43

Është shumë me rëndësi që rasti në Kumanovë të hetohet dhe të mos shkaktohen tensione ndëretnike...

Kështu është shprehur sekretari i përgjithshëm për zgjerim në Komisionin Evropian, Kristian Danielson, në një intervistë për rrjetin “European Western Balkans”.
 
Duke shprehur shqetësim për ndodhitë në Kumanovë, edhe një herë ripërsëriti qëndrimin e BE-së: të gjitha palët të bashkëpunojnë në zbardhjen e rastit. 
 
"Jam shumë i shqetësuar për atë që ndodhi në Kumanovë. BE dënoi çdo formë të dhunës dhe dëshiroj t'u shpreh ngushëllim të thellë familjeve të personave të cilët i humbën jetët. Komisari Han tashmë u bëri thirrje të gjitha palëve dhe aktorëve të involvuar të bashkëpunojnë në ndriçimin e asaj që ndodhi, kush është përgjegjës dhe së bashku të punojnë në këtë çështje. Gjithashtu është me rëndësi që ky rast në mënyrë përkatëse të hetohet dhe të mos shkaktojë tensione ndëretnike"- tha Danielson.
 
Danielson, përveç që është i mendimit se dialogu konstruktiv politik mes pozitës dhe opozitës nuk duhet të mungojë, ai kërkon që të mos tërhiqet vëmendja nga serioziteti i krizës politike në Maqedoni.
 
"Partia në pushtet dhe ajo opozitare duhet të angazhohen në dialog politik konstruktiv, të ndihmuar nga tre anëtarët e Parlamentit Evropian. Të nënvizohen çështjet sistematike për sundimin e të drejtës, lirinë e mediave, zgjedhjet dhe të tjera, në çfarë theksoi edhe Komisioni Evropian në raportin për përparim. Patjetër duhet të ketë përgjegjësi politike që të kthehet besimi në institucionet"- theksoi Danielson.
 
Sekretar i përgjithshëm për zgjerim në Komisionin Evropian shprehet se të gjitha pohimet për parregullsi të mundshme potenciale duhet menjëherë dhe në mënyrë transparente të hetohen nga institucionet relevante.
 
SANIJE KASAMI