Drejtori i NP "Higjiena Komunale" parashtron dorëheqje për arsye morale
U.d. Drejtori i Ndërmarrjes Publike "Higjiena Komunale" - Shkup...

U.d. Drejtori i Ndërmarrjes Publike "Higjiena Komunale" - Shkup, Sabahudin Rustemi, ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i tij për arsye morale.
Këtë e njoftoi avokati i tij, Asmir Alispahiq, i cili ka thënë se Rustemi nuk po jep dorëheqjen sepse ndihet përgjegjës për situatën me mbeturinat në Shkup, por përkundrazi për të shmangur ndikimin në hetim.
Ndërkohë Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka nisur procedurë hetimore ndaj dy personave, të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale “Rrezikim i mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturina”, sipas nenit 230, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit janë ushtrues detyre drejtor dhe udhëheqës i sektorit të mbeturinave në Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale” – Shkup.
Ata dyshohet se kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Mbeturinave, duke mos përmbushur detyrimet për mbledhjen dhe transportimin e rregullt të mbeturinave të padëmshme në territorin e Qytetit të Shkupit.
Në komunikatën e Prokurorisë thuhet se të dyshuarit nuk kanë mbikëqyrur siç duhet procesin e mbledhjes dhe transportimit të mbeturinave komunale, ndërsa përmes menaxhimit të pasaktë kanë lejuar krijimin e deponive të vogla në hapësira publike dhe në afërsi të kontejnerëve.
Këto veprime, sipas Prokurorisë, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në cilësinë e tokës, ajrit dhe ujit, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve dhe duke mundësuar përhapjen e sëmundjeve infektive ose të tjera.
