Nesër mblidhen liderët, kërkojnë zgjidhjen e krizës

25.05.2015 16:58

Nesër sërish do të mblidhen katër liderët e partive më të mëdha në vend, Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi për të zhvilluar një raund të ri bisedimesh për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën që ka përfshirë vendin...

Ky takim është i treti, pas dy të parëve pa asnjë marrëveshje mes liderëve, si dhe takimit tjetër që u mbajt në Strasburg vetëm me krerët e VMRO-së dhe LSDM-së. As nga ky takim, ku morën pjesë edhe tre deputetë të Parlamentit Evropian, nuk pati ndonjë rezultat konkret.

Në takimet e zhvilluara në Shkup, përveç katër liderëve, të pranishëm kanë qenë edhe ambasadorët e ShBA-së dhe të BE-së, Xhes Bejli dhe Aivo Orav. Kërkesa kryesore e liderit të opozitës, Zoran Zaev, është dorëheqja e qeverisë dhe e vetë kryeministrit, Nikolla Gruevski, kryeprokurorit, Marko Zvërlevski, si dhe formimi i një qeverie kalimtare me mandat për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Por, kryeministri Gruevski ka refuzuar deri tani dorëheqjen e tij dhe formimin e qeverisë kalimtare, ndërsa njoftohet se është shprehur i gatshëm të bisedojë për të gjitha çështjet e tjera teknike dhe vërejtjet që opozita ka për proceset e kaluara zgjedhore.