Izraeli sulmon sërish Gazën
Të paktën 50 palestinezë, mes tyre 22 fëmijë...

Të paktën 50 palestinezë, mes tyre 22 fëmijë, u vranë dhe mbi 200 u plagosën në një valë sulmesh ajrore izraelite në Rripin e Gazës, njoftuan Mbrojtja Civile dhe spitalet lokale të drejtuara nga Hamasi.
Izraeli tha se sulmet ishin kundërpërgjigje ndaj “shkeljeve” të marrëveshjes së armëpushimit nga Hamasi, pasi një ushtar izraelit u vra në jug të Gazës. Hamasi mohoi çdo përfshirje, duke e quajtur bombardimin “kriminal” dhe “shkelje të hapur të marrëveshjes”.
Sulmet goditën shtëpi, shkolla dhe blloqe banimi në qytetin e Gazës, Beit Lahia, Bureij, Nuseirat dhe Kan Jounis.
Dëshmitarë përshkruan “shtylla zjarri e tymi” që ngriheshin mbi qytet.
Ekipet e shpëtimit paralajmëruan se numri i viktimave mund të rritet, pasi shumë persona janë ende nën rrënoja.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, urdhëroi ushtrinë për “sulme të fuqishme”, ndërsa ministri i mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëroi se “Hamasi do të paguajë shumëfish” për vrasjen e ushtarit dhe shkeljen e marrëveshjes së pengjeve.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan, Donald Tramp, tha se “asgjë nuk do ta rrezikojë armëpushimin”, por shtoi se Izraeli “duhet të kundërsulmojë kur sulmohet”. Armëpushimi i ndërmjetësuar nga ShBA-ja, Egjipti, Katari dhe Turqia, është pjesë e planit 20-pikësh të paqes për Gazën, i cili parashikon shkëmbimin e pengjeve me trupat dhe të burgosurit palestinezë.
Sipas të dhënave palestineze, më shumë se 68.500 persona janë vrarë në Gazë që nga fillimi i luftës në tetor 2023.
