Maqedoni
Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, VMRO-DPMNE mbajti tubim në Kërçovë
29.10.2025 14:06
Kandidati për kryetar në komunën e Kërçovës, Aleksandar Jovanovski, mbrëmë u tha banorëve se këtij qyteti i nevojitet kryetar i ndershëm

Kandidati për kryetar në komunën e Kërçovës, Aleksandar Jovanovski, nga radhët e VMRO-DPMNE-së mbrëmë u tha banorëve se këtij qyteti i nevojitet kryetar i ndershëm, i cili do të bëjë çmos për ta shndërruar Kërçovën në qytet modern, urban dhe bashkëkohor. Andaj, në tubimin e mbrëmshëm, Jovanovski u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë etnike, fetare dhe politike, të votojnë për një njeri të ndershëm, siç e konsideron ai vetveten. U shpreh i bindur se kundërkandidati i tij në këtë qytet nuk i posedon këto vlera dhe aftësi për menaxhimin e komunës së Kërçovës.
“Kemi miq që dëshirojnë të na mbështesin dhe kemi njerëz të cilët panë se me çfarë ballafaqohemi në këtë komunë. Për fat të keq, unë nuk do të dëshiroj të përmend, mirëpo ju jeni dëshmitar se çfarë kemi parë ditëve të fundit. Çfarë video-materiale pamë dhe dëgjuam. Më besoni se nuk dëshiroj askënd të akuzojë, megjithatë ne si banorë të këtij qyteti nuk e meritojmë. Ne meritojmë të kemi një njeri të ndershëm, punëtor, i cili do të sakrifikojë veten për këtë qytet, e ai njeri jam unë.”, - deklaroi kandidati i VMRO-DPMNE-së për kryetar në Komunën e Kërçovës, Aleksandar Jovanovski.
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, u kërkoi banorëve të Kërçovës që më 2 nëntor, pa asnjë mëdyshje, pa dallime etnike, fetare apo politike dhe masivisht të bashkohen për ta zgjedhur Jovanovskin kryetar të kësaj komune, pasi që ai vlerësoi se kundërkandidati i tij për këtë qytet nuk ndan të njëjtat vlera morale me këtë koalicion dhe qytetarët. U tha se fitorja e Jovanovskit në Kërçovë dhe Orce Gjorgjievskit në Qytetin e Shkupit, do të shkruajnë historinë në këtë vend. Mickoski u përbetua se VMRO-DPMNE asnjëherë nuk do t’i zhgënjejë votuesit. Tha se do të punojë për mirëqenien e tyre duke ua përmirësuar jetën edhe në nivel lokal. Vetëm kur jemi të bashkuar mund t’i mundim kundërshtarët e mëdhenj, të cilët nuk përfaqësojnë vlerat tona, tha ai.
“Më 2 nëntor, të dielën, është më rëndësi të madhe që të bashkohemi në Kërçovë pa dallim të përkatësisë etnike, fetare dhe politike, me një zë, të bashkohemi për vlerat që përfaqëson Aleksandar Jovanovski dhe civilizimi që po e përfaqësojmë, sepse unë jam i bindur se kundërkandidati i Jovanovskit nuk i ndan vlerat tona dhe civilizimin tonë. Secili votues kur të marrë fletëvotimin le ta dëgjojë arsyen dhe zemrën e tij, sepse nga aty do të burojë numri 9 për ta votuar.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Mickoski në këtë tubim u shpreh i bindur se pas rrethit të dytë zgjedhor, koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE do të ketë 60 kryetarë komunash, duke e përfshirë edhe fitoren e sigurt të Jovanovskit në Kërçovë dhe të Orce Gjorgjievskit për Qytetin e Shkupit, tha Mickoski.
REXHEP QAMILI
