Botë

Kosovë, Gucati: Dëshmia e Klarkut në Hagë do të jetë një “bombë”

29.10.2025 14:28

Protesta e radhës në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së do të mbahet para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg më 16 nëntor....

Protesta e radhës në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë do të mbahet para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg më 16 nëntor. Këtë e ka njoftuar kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, derisa kërkoi pjesëmarrje masive në protestë theksoi nevojën për drejtës. Gucati më tej ka thënë se dëshmia e Gjeneralit Ueslej Klark në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë do të jetë një bombë për Gjykatën Speciale.
 
“Dëshmia e Klarkut do të jetë një bombë për ta, do të jetë një bombë shumë e madhe, do të jetë një sukses i madh, sepse në Amerikë është dashtë të marrë leje për të dëshmuar. I falënderojmë që e kanë leju dhe mezi se po presim që më 19 nëntor t’i shohim në Gjykatën Speciale dëshmitë e tij.”, - deklaroi kryetari i organizatave të UÇK-së, Hysni Gucati. 
 
Sipas parashtrimit, Klarku ka thënë se nuk mundet ta bëjë udhëtimin për në Hagë përpara 17 nëntorit 2025 dhe për këto arsye mund të fillojë dëshminë më 18 nëntor ose më 19 nëntor 2025. Mbrojtja ka kërkuar nga trupi gjykues që të caktohet edhe 21 nëntori për seancë, në rast që është e nevojshme për finalizimin e dëshmisë së Klarkut.  Po ashtu, mbrojtja ka kërkuar edhe ndryshimin e listës së provave të dorëzuar, duke kërkuar shtimin e deklaratës së Klarkut.
 
“Sa i përket arsyes së mirë, Mbrojtja kërkon shtimin e kësaj deklarate në listën e provave, në mënyrë që ajo të mund të dorëzohet sipas Rregullës 154. Pranimi sipas Rregullës 154 do të kursente kohë në sallën e gjyqit dhe do të siguronte që prezantimi i provave të 1DË-007 të ishte i fokusuar, dhe jo i përsëritur ose i dyfishtë.”, thuhet në parashtrim.
 
Në parashtrimin e vetë, mbrojtja thotë se Klarku do të japë dëshmi rreth përpjekjeve të NATO-s për të zbatuar marrëveshjen e tetorit 1998 mes Holbrokit dhe Millosheviqit. 


BELINDA KOKA ADEMI