Botë

Izraeli shkeli armëpushimin, vrau 100 civilë, mes tyre 35 fëmijë

29.10.2025 14:41

Ushtria izraelite ka vrarë mbi 100 palestinezë në Rripin e Gazës, përfshirë 35 fëmijë...

Ushtria izraelite ka vrarë mbi 100 palestinezë në Rripin e Gazës, përfshirë 35 fëmijë, duke shkelur marrëveshjen e armëpushimit. Burime mjekësore thanë se numri i të vrarëve pritet të rritet për shkak të disa personave që kanë pësuar lëndime kritike dhe kërkimeve të vazhdueshme për ata që janë të zhdukur nën rrënojat e shtëpive të shkatërruara.
 
“Njerëzit na shpëtuan nga rrënojat pas dy orësh gërmime, sepse mbetëm të ngujuar. Të gjithë ishim të plagosur, u kthyem në mëngjes nga spitali “Al-Aëda”. Ky ishte një operacion masiv vrasjesh. Të gjithë ata që ishin në këtë zonë vdiqën. Të gjithë, nëntë anëtarët e familjes Abu Dalal, në shtëpinë pranë nesh, u vranë. Askush nuk mbijetoi. I nxorëm pjesët e trupave të tyre. Ishin tërësisht të copëtuar.”, - tha i mbijetuari, Munir Mema.
 
“Pse bombardojnë njerëzit që flenë? Fëmijët tanë janë të tmerruar. Çfarë armëpushimi është ky?”, - tha një palestineze e zhvendosur, Amna Krinavi.
 
Presidenti amerikan, Donald Tramp, deklaroi se armëpushimi nuk është në rrezik, por duhet të respektohet.
 
“Ata vranë një ushtar izraelit dhe izraelitët u kundërpërgjigjën dhe duhet të kundërpërgjigjen. Kur ndodh diçka e tillë, ata kanë të drejtë të reagojnë. Asgjë nuk do ta rrezikojë marrëveshjen e armëpushimit.”, - theksoi presidenti amerikan, Donald Tramp.
 
Hamasi mohoi përgjegjësinë për sulmin ndaj forcave izraelite dhe akuzoi Izraelin për shkeljen e armëpushimit. Grupi njoftoi shtyrjen e dorëzimit të trupave të të dy pengjeve si reagim ndaj shkeljeve izraelite.
 
“Hamasi konfirmon se nuk ka asnjë lidhje me incidentin e të shtënave në Rafah dhe riafirmon përkushtimin e tij ndaj marrëveshjes së armëpushimit.”, thuhet në deklaratën e grupit rezistent.
 
Vonesat në kthimin e trupave po e rrezikojnë edhe më shumë armëpushimin e brishtë.
 
“Izraeli ka treguar durim. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se Hamasi mund t’i lokalizojë dhe t’i dorëzojë 13 trupat që ende ndodhen në Gazë. Sa i përket pasojave për Hamasin, asgjë nuk përjashtohet në këtë moment.”, - deklaroi zëdhënësja e Qeverisë izraelite, Shosh Bedrosian.
 
OKB-ja bëri apel që të gjitha palët të respektojnë kushtet e armëpushimit.
 
“Nuk duam që situata të përkeqësohet. Është e rëndësishme që të gjitha palët e përfshira në armëpushim t’i përmbahen atij.”, - theksoi zëdhënësi i OKB-së, Stefan Dujarriq.
 
Që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit më 10 tetor, incidentet vdekjeprurëse kanë vazhduar në Gazë, ku janë vrarë dhjetëra civilë. Kjo është hera e katërtë, që nga fillimi i luftës në Gazë, që Izraeli e thyen marrëveshjen e armëpushimit dhe sulmon civilët.