Ekonomi

Kriza politike mbi ekonominë, Bislimi: Rrezikohet shfrytëzimi i rezervave dhe shtimi i borxheve

25.05.2015 17:06

Pas deklarimeve të guvernatorit të Bankës Popullore, Dimitar Bogov, mbi ndikimin negativ të krizës politike në ekonomi...

Pas deklarimeve të guvernatorit të Bankës Popullore, Dimitar Bogov, mbi ndikimin negativ të krizës politike në ekonomi, analistët ekonomik thonë se situata mund të përshkallëzohet edhe më shumë.
 
Eksperti i ekonomisë, Sami Bislimi, bën me dije se Maqedonia, përpos zvogëlimit të investimeve, shkurtimit të vendeve të punës dhe pagave do të jetë e detyruar që të shfrytëzojë rezervat devizore, si dhe të futet në borxhe të reja.
 
“Kjo reflektohet në mënyrë direkte mbi rritjen e deficitit në bilancin e pagesave që imponon mandej nevojën për gjendjen e burimeve plotësuese për uljen e këtij deficiti. Burime plotësuese mund të jenë shfrytëzimi i rezervave devizore të vendit, por dhe huazimi plotësues i mjeteve nga investitorë të huaj të jashtëm kryesisht nga institucione financiare ndërkombëtare”- deklaroi eksperti i ekonomisë, Sami Bislimi.
 
Sipas Bislimit, mbajnë edhe parashikimet e Bogovit për rritje të kamatave të kredive të qytetarëve, por pritet të ketë edhe shtrenjtim të çmimeve, thotë ai.
 
Që kriza të mos bie qind për qind mbi kurriz të qytetarëve, Bislimi thotë se Banka Popullore do të duhet të shtojë presionet mbi ekzekutiv që të shkurtojë shpenzimet në sektorin publik.
 
“Banka Popullore duhet të ndërpresë mbështetjen e projekteve publike dhe një pjesë relativisht më e madhe e të ardhurave fiskale të orientohen drejt ruajtjes së standardit jetësor të qytetarëve, e jo ndërtimin e objekteve infrastrukturore për të cilat ekonomia e vendit tani për tani nuk ka nevojë. Të subvencionon  të gjitha ato shtresa të popullatës të cilat nuk kanë të ardhura apo realizojnë të ardhura në nivel shumë të ulët dhe t’i japë mbështetje shtresës së popullatës që ballafaqohet me varfëri”- theksoi eksperti i ekonomisë, Sami Bislimi.
 
Banka Popullore parashikonte që 2015–ta të shënojë rritje ekonomike prej 4.1%. Pritje të përafërta kishin edhe Komisioni Evropian dhe FMN-ja.
 
Ky trend në rritje është vënë në rrezik si pasojë e zhvillimeve politike në muajt e fundit.
 
MERAL ISMAILI