Maqedoni
SPB - Shkup parashtron kallëzime penale ndaj ish-drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të AUV-së
29.10.2025 14:56
SPB-Shkup ngriti kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike - Shkup kundër shtatë personave nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë...

SPB-Shkup ngriti kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike - Shkup kundër shtatë personave nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, duke përfshirë edhe personin me iniciale Z.A., ish-drejtor i Agjencisë për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale "shpërdorim detyre" nga neni 354 paragrafi 1 i Kodit Penal; ndaj personit me iniciale F.M., ish-zëvendësdrejtor në agjenci për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale "shpërdorim detyre" nga neni 354 në lidhje me nenin 24 të Kodit Penal "ndihmë" dhe kundër L.U., A.R., E.T., A.B. dhe A.B., të punësuar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale "shpërdorim detyre" nga neni 354 në lidhje me nenin 24 të Kodit Penal "ndihmë".
“Z.A. në cilësinë e drejtorit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, në periudhën nga viti 2017 deri në vitin 2020, në disa raste, me synimin që të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme për vete mjete parash që i janë besuar në detyrë, për udhëtime zyrtare jashtë shtetit në të cilat i njëjti ka marrë pjesë, ka marrë mëditje në lartësi prej 50%, edhe pse në përputhje me Rregulloren për ndryshimin e Rregullores për shpenzimet e udhëtimeve zyrtare dhe udhëtimeve zyrtare jashtë shtetit duhej të merrte vetëm 20%, sepse shpenzimet e akomodimit dhe ushqimit nuk i ngarkoheshin institucionit. F.M. në cilësinë e zëvendësdrejtorit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, duke nënshkruar vendimet për miratimin e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit i ka ndihmuar personit Z.A. që të përvetësonte në mënyrë të kundërligjshme paratë. Ndërsa, L.A., A.R. dhe E.T. në disa raste, në kundërshtim me Rregulloren e lartpërmendur, përgatitën vendime për miratimin e udhëtimeve zyrtare jashtë shtetit në emër të Z.A..”, - deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.
Sipas MPB-së, në bazë këtyre vendimeve, dy personat me iniciale A.B. kanë miratuar pagesën e mjeteve në para bazuar në vendimet e përgatitura më parë, edhe pse e kanë ditur dhe kanë qenë të vetëdijshëm se vendimet nuk ishin miratuar në përputhje me rregulloren, kanë vepruar sipas vendimeve dhe ia kanë paguar paratë, me çka i kanë ndihmuar personit me iniciale Z.A. të përfitojë dobi të kundërligjshme pasurore në shumën e përgjithshme prej 62.530 denarëve, por në dëm të buxhetit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. TVM2 ka kontaktuar edhe nga Agjencia në fjalë, se si e komentojnë këtë padi, por nga të njëjtët nuk deshën të prononcohen.
FITIM KRYEZIU
