Botë
Operacion i madh policor në Rio de Zhanejro, 64 të vrarë në përleshjet me bandat kriminale
29.10.2025 15:18
Të paktën 64 persona, përfshirë katër oficerë policie, janë vrarë gjatë një operacioni të madh policor kundër trafikut të drogës në Rio de Zhanejro...

Të paktën 64 persona, përfshirë katër oficerë policie, janë vrarë gjatë një operacioni të madh policor kundër trafikut të drogës në Rio de Zhanejro. Në aksionin e koduar si “Operacioni Kontrollues” morën pjesë rreth 2.500 efektivë policie, me mjete të blinduara dhe helikopterë, duke synuar një rrjet të trafikut të drogës në dy lagje të varfra të qytetit, Alemao dhe Penha, të getizuara nga grupet narkotrafikante. Guvernatori i Rio de Zhanejros, Klaudio Kastro, e përshkroi ndërhyrjen si “operacionin më të madh në historinë e forcave të sigurisë braziliane”.
“Janë 2.500 pjesëtarë të forcave që po punojnë në komplekset e Alemaos dhe Penhas, në një zonë prej 9 milionë metrash katrorë, dy herë më e madhe se lagjja Kopakabana. Deri tani janë arrestuar 56 persona, janë vrarë 64 njerëz, 18 janë nga krerët e grupeve të krimit, si dhe janë sekuestruar 31 pushkë automatike dhe sasi të mëdha droge, që ende nuk janë llogaritur plotësisht për shkak të zhvillimit të operacionit. Fatkeqësisht, viktimat përfshijnë edhe pjesëtarë të policisë. Disa oficerë janë vrarë tragjikisht, ndërsa disa të tjerë po marrin trajtim mjekësor.”, - deklaroi guvernatori i shtetit të Rio de Zhanejros, Klaudio Kastro.
Operacioni është fokusuar kryesisht në favelat Vila Kruzeiro, Alemao dhe Penha, të njohura për veprimtarinë e bandës së armatosur me emrin “Komanda e Kuqe”, një nga organizatat kriminale më të fuqishme në Brazil. Operacioni zhvillohet në prag të disa ngjarjeve ndërkombëtare, që do të mbahen në qytet në kuadër të samitit global të klimës COP30.
FARIJE DAUTI BAKIU
