Maqedoni

NP “Higjiena Komunale” mbetet pa drejtor, Arsovska kërkon emërimin e ushtruesit të detyrës

29.10.2025 15:35

Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale” - Shkup ka mbetur pa drejtor....

Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale” - Shkup ka mbetur pa drejtor. Kryetarja e qytetit, Danella Arsovska, ka kërkuar nga bordi drejtues që të emërojë një ushtrues detyre të drejtorit. Ajo ka akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski dhe partinë VMRO-DPMNE për kaosin e krijuar, duke theksuar se kryetarja e bordit drejtues vjen nga radhët e kësaj partie.
 
“Mickoski të thërrasë bordin drejtues të “Higjienës Komunale”, që në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, të marrë vendim për shkarkimin e drejtorit dhe të emërojë ushtrues detyre të drejtorit të ndërmarrjes.”, thuhet në deklaratën e Arsovskës.
 
Profesori në pension, Borçe Davitkovski, për TVM deklaroi se, sipas ligjit, kryetarja e komunës është ajo që duhet të emërojë drejtorin e ri, ndërsa deri atëherë detyrat duhet t’i ushtrojë zëvendësdrejtori.
 
“Sipas ligjit për ndërmarrjet publike, pushteti i ri duhet të shpallë konkurs të hapur ku mund të paraqiten kandidatë të interesuar. Me ata që plotësojnë kushtet duhet të lidhet një kontratë menaxheriale, ku të përcaktohet se çfarë duhet të arrihet brenda gjashtë muajve. Nëse objektivat përmbushen, drejtori mund të qëndrojë në detyrë; në të kundërtën, duhet të shkarkohet të emërohet një tjetër.”, - theksoi profesori universitar në pension, Borçe Davitkovski.
 
Drejtori i deritanishëm i “Higjienës Komunale”, Sabahudin Rustemi, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme, pasi është dyshuar për ndotje të mjedisit dhe dëmtim të natyrës përmes menaxhimit të mbeturinave. Avokati i tij, Asmir Alispahiq, ka thënë se  Rustemi nuk po jep dorëheqjen, sepse ndihet përgjegjës për situatën me mbeturinat në Shkup, por për të shmangur ndikimin në hetim. Pas dorëheqjes, Rustemit dhe një drejtuesi tjetër të ndërmarrjes u është caktuar paraburgim prej 30 ditësh.
 
ARMEND MURSELI