Maqedoni

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, Rexhepi fushatë në Reçicë të Vogël dhe të Madhe

29.10.2025 16:43

Rexhepi ka vazhduar fushatën në takime me banorët në Reçicë të Vogël dhe në Reçicë të Madhe....

Kandidati i AKI-së për kryetar të Tetovës, Bajram Rexhepi, i shoqëruar nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka vazhduar fushatën në takime me banorët në Reçicë të Vogël dhe në Reçicë të Madhe. Rexhepi, me këtë rast, ka lëshuar kritika ndaj kundërkandidatit, Bilall Kasami, duke deklaruar se udhëheqësia aktuale e Tetovës është duke i bërë dëm të madh qytetit. Sipas Rexhepit, kundërkandidati i tij ka treguar paaftësi për menaxhim me ndërmarrjet publike dhe ka shitur çdo aset dhe çdo pronë që mund të shitet. Ai njëherësh theksoi se koalicioni VLEN ka dështuar edhe në Qeveri.
 
“Jo vetëm që dështim eklatant, që ka ndodhur me udhëheqësinë komunale në ikje, por edhe pozicioni në qeveri ka qenë i tmerrshëm. Fatmirësisht ne jemi bërë bashkë me AKI-në, sepse fatmirësisht shumë njerëz e panë se kështu nuk mund të durohet. Fokusi jonë në këto zgjedhje ka qenë që t’u tregojmë tetovarëve se ne duhet këtë udhëheqësi ta largojmë një ditë e më parë.”, - deklaroi kandidati i AKI-së për kryetar të Tetovës, Bajram Rexhepi.
 
Rexhepi po ashtu theksoi se ku ndodhemi në prag të përfundimit të fushatës, nevojitet edhe një mobilizim dhe përkushtim më i madh, prandaj ai kërkoi angazhim maksimal nga përkrahësit dhe qytetarët, sepse siç tha ai, janë të përkushtuar për të dalë fitues në rrethin e dytë të zgjedhjeve më 2 nëntor. Votën e banorëve të Reçicës së Vogël dhe Reçicës së Madhe, por edhe të gjithë tetovarëve për Bajram Rexhepin e kërkoi edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Ai njëherësh theksoi se të arriturat derisa BDI ka qenë në pushtet kanë qenë të shumta dhe meritorë për atë janë edhe qytetarët. Ahmeti në mesin e të arriturave përmendi Universitetin e Tetovës dhe kryeministrin e parë shqiptar. Por, sipas Ahmetit, me ardhjen e koalicionit VLEN në pushtet, pozita e shqiptarëve është devalvuar tërësisht.
 
“Për 25 vjet kemi investuar maksimum që dinjitetin dhe krenarinë t’ia ruajmë popullit. Ju të gjithë jeni hisetar në të gjitha të arriturat që janë bërë për ne këtu në Maqedoni, duke filluar nga UT-ja e deri te kryeministri i parë shqiptar. E gjetëm me zero, e lamë me kryeministër. Nuk ma morri mendja se do na devalvojnë kaq shumë.”, - theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Kreu i BDI-së, Ahmeti, njëherësh theksoi se AKI pret rezultate tejet të mira në rrethin e dytë, si në Tetovë, ashtu edhe në komunat tjera ku garojnë kandidatët e këtij koalicioni.
 
Përveç kandidatit për Tetovën, Rexhepi, edhe kandidatët tjerë të AKI-së kanë vazhduar me fushatën. Kandidati për kryetar të Strugës, Arsim Dalipi, ka mbajtur tubim në Ladorisht, ku ka shpalosur ofertën e tij programore. Fushatën po e vazhdojnë edhe kandidati për kryetar të Kërçovës, Fatmir Dehari, për kreun e komunës së Bogovinës garon Besnik Emshiu, si dhe Ejup Abazi, i cili garon për kryetar të komunës së Studeniçanit.
 
GYLTENE SINANI