Maqedoni
Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, VLEN vazhdoi fushatën në Komunën e Dollnenit
29.10.2025 16:51
Koalicioni VLEN ka vazhduar fushatën për rrethin e dytë në komunën e Dollnenit....

Koalicioni VLEN ka vazhduar fushatën për rrethin e dytë në komunën e Dollnenit. Zyrtarë të këtij koalicioni, para të pranishmëve në fshatin Debresh, theksuan se kandidati për kryetar komune, Blerim Islami, gëzon edhe mbështetjen e VLEN-it dhe Qeverisë. Njëri nga liderët e këtij koalicioni, Izet Mexhiti, me këtë rast deklaroi se fitoret në Shkup dhe rrethinë dhe në Tetovë me rrethinë të koalicionit VLEN kanë reflektuar edhe në komunën e Dollnenit. Debreshi flet me një zë, pasi kandidaturën e Islamit tani e mbështesin edhe kandidatët e pavarur dhe Partia Demokratike Turke, theksoi Mexhiti.
“Ne vlerësojmë se Blerimi nuk është vet, pas politikave të tij, pas programit të tij, pas projekteve të tij qëndron Qeveria, qëndron Parlamenti, qëndron VLEN-i. Mendoj se tani e keni më lehtë edhe këtu, sepse kanë reflektuar fitoret Shkup dhe rrethinë, Tetovë dhe rrethinë, pra Pollogut, dy qendrat kryesore janë përcaktuar njëqind për qind për VLEN-in, domosdo kjo do të reflektojë edhe nga Dollneni, edhe nga Struga e Dibra.”, - deklaroi Izet Mexhiti nga VLEN.
Sipas Mexhitit, është e qartë se kush janë përfaqësuesit legjitim të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, populli e vlerësoi atë se të tjerët nuk janë në kontakt me realitetin, flasin për sllogane, flasin për parulla, por nuk flasin aspak për problemet komunale. Ndërkohë kandidati për kryetar të komunës së Dollnenit nga koalicioni VLEN, Blerim Islami, u shpreh mirënjohës për mbështetjen që liderët e këtij koalicioni dhe përfaqësuesit qeveritarë i japin atij si kandidat dhe komunës së Dollnenit. Ai pret fitore në rrethin e dytë, pasi thotë se është i mirëpritur në të gjitha vendbanimet e kësaj komune, të cilat po i viziton këtyre ditëve, për të ua shpalosur banorëve ofertën e tij programore.
“Jemi në fshatin Debresh, kemi vizitë nga përfaqësues qeveritarë. Me ne sot është këtu zoti Afrim Gashi, kryetar i Parlamentit. Kemi këtu zëvendëskryeministrin e parë, zotëri Izet Mexhitin; kryetarin e Alternativës, zotëri Zeqirja Ibrahimi. Vizita e tyre këtu është ndihmë e madhe për ne. Kah do që shkojmë, çdo fshat që vizitojmë, ndjehet atmosfera e fitores dhe shpresojmë që më 2 nëntor të festojmë së bashku këtu në Dollnen.”, - theksoi kandidati i VLEN-it për kryetar të Dollnenit, Blerim Islami.
Mbështetje nga banorët e Dollnenit për kandidatin e koalicionit VLEN për kryetar të kësaj komune kërkuan edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dhe kryetari i partisë Alternativa, Zeqirja Ibrahimi.
Koalicioni VLEN vazhdon fushatën edhe në komunat tjera, ku kandidatët e saj garojnë në rrethin e dytë, si në Tetovë, ku Bilall Kasami synon të rizgjidhet edhe për një mandat të dytë. Në Bërvenicë VLEN-i garon me Haqim Ramadanin dhe në Dibër Fisnik Mela synon të marrë postin e kryetarit të kësaj komune. Po ashtu koalicioni VLEN mbështet kandidatin e pavarur për kryetar të Strugës, Mendi Qyra, dhe kandidatin e pavarur për kryetar të komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku.
FITORE DEMOLLI
