Maqedoni
Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, Lëvizja “E di” fushatë në Qendër dhe Kumanovë
29.10.2025 17:46
Llabudoviq thotë se pjesë e programit të tij është edhe mbështetja e esnafit të Çarshisë...

Kandidati për kryetar të komunës Qendër të Shkupit nga Lëvizja “E di”, Mirosllav Llabudoviq, thotë se pjesë e programit të tij është edhe mbështetja e esnafit të Çarshisë. Llabudoviq, njëherësh përcolli urime për komunitetin turk për ditën e republikës.
“Ne si komunë do të jemi përkrahje e zhvillimit të esnafit në shtetin tonë, sepse vetëm ashtu mundemi ta ruajmë traditën, vlerat tradicionale t’i bartim nga gjenerata në gjeneratë. Po ashtu këtë ditë, 29 tetori, dëshiroj t’ua uroj ditën e republikës turke të gjithë bashkëqytetarëve turq, sepse shteti ynë është kolorit i shumë nacionaliteteve.”, - deklaroi kandidati i Lëvizjes “E di” për kryetar të Komunës Qendër, Misrosllav Llabudoviq.
Ndërsa kandidati për kryetar të Kumanovës nga Lëvizja “E di”, Maksim Dimitrievski, premton ruajtjen e hapësirave të gjelbra dhe ndërtimin e një çerdheje në bulevardin “Revolucioni i Tetorit”.
“Këtu në kompleksin banesor në bulevardin “Revolucioni i Tetorit”, t’ju informoj se në mandatin e ardhshëm, tërë ambienti rreth ndërtesave tuaja do të rregullohet. Do të zgjerohen të gjitha hapësirat e parkimit, do të shenjëzohen si pjesë e zonës së dytë të parkimit, e cila do të jetë tërësisht pa pagesë, për të gjithë ju që jeni me adresë banimi këtu. Në mënyrë plotësuese do të ruhen të gjitha hapësirat e gjelbra.”, - theksoi kandidati nga Lëvizja “E di” për kryetar të Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Dimitrievski po ashtu paralajmëroi edhe zona të reja për ndërtim, nëse rizgjidhet në krye të Kumanovës.
FITORE DEMOLLI
