Botë

Kuvendi i Shqipërisë mbajti seancë për kërkesën e opozitës për shkarkimin e Peleshit

30.10.2025 14:53

Seanca e parë e të enjtes u mbajt posaçërisht për kërkesën e opozitës për shkarkimin e kryeparlamentarit, Niko Peleshi...

Seanca e parë e të enjtes u mbajt posaçërisht për kërkesën e opozitës për shkarkimin e kryeparlamentarit, Niko Peleshi, ku u prezantuan dy raporte. I pari ishte i demokratëve, të cilët e akuzuan se ka favorizuar socialistët në fjalime.
 
“Në dy seanca 16 dhe 18 shtator, zotëri Peleshi ka konsumuar një sërë shkeljesh të rënda, të përsëritura dhe të qëllimshme. I bëj një apel personal kryetarit të Kuvendit, ik përpara votimit dhe jep dorëheqjen. Zgjidh dinjitetin tënd përpara detyrës së partisë.”, - deklaroi deputeti i PD-së, Ivi Kaso.
 
Në vlerësimin e socialistëve, kryetari i Kuvendit ka përmbushur përgjegjësitë e tij në një Kuvend që të mbizotërojë kaosi i shkaktuar nga vetë opozita.
 
“Të shërbejë si mësim. Të mos ofendohet tjetri, Niko Peleshi ka bërë maksimumin e tij. Pozicioni i tij i vështirë kur kaosi mbizotëron mbi rendin, ka ndërprerë seancën, ka mbrojtur rendin kushtetues.”, - theksoi deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri.
 
Në mbrojtje të akuzave, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, tha se opozita ka pasur 60% të kohës së fjalës në Kuvend.
 
"Mazhoranca ka folur 291 minuta kundrejt 439 minutave të opozitës, pra 60% të kohës e ka pasur opozita. Problemi nuk jam unë, por mungesa e vullnetit për t’u angazhuar në një sjellje të re politike.”, - u shpreh kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.
 
Edhe pse e inicionin vetë këtë seancë, opozita nuk mori pjesë, në votim ku u hodh vetëm raporti i PD-së. Kërkesa e saj për shkarkimin e Peleshit u rrëzua me 79 vota.
 
Jashtë dyerve të Kuvendit, sqarimin e bëri kryedemokrati Sali Berisha.
 
“Këta e kanë shndërruar Parlamentin në një klub, në të cilin nuk ka asnjë rregull, ka vetëm kaos. Ajo që kryeson sot aty nuk merrte vesh se çfarë hidhte në votim. Aty janë dy raporte, hidhen dy raportet dhe pastaj bëhet votimi.”, - theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha.
 
Në rrjetin social, kryetari i grupit parlamentar të PD-së i përjashtuar nga seancat, Gazmend Bardhi, i quajti memecë 79 deputetët që votuan kundër.
 
LULJETA NDOKA