Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, fillon shpërndarja e fletëvotimeve
KShZ-ja drejt aktiviteteve të fundit për rrethin e dytë...

KShZ-ja drejt aktiviteteve të fundit për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale në 32 komuna, plus qytetin e Shkupit. Shtypshkronja “Kiro Dandaro” në Manastir filloi shpërndarjen e 1.013.357 fletëvotimeve për votimin e së dielës.
Paraprakisht votohet edhe të shtunën.
Në këtë ditë votojnë të sëmurët dhe të pafuqishmit, të burgosurit dhe personat në arrest shtëpiak, kërkesat e të cilëve janë pranuar nga komisionet zgjedhore komunale. Sipas informacioneve nga KShZ-ja, zgjedhjet lokale do të monitorohen nga 1.569 vëzhgues, nga të cilët 904 janë vendas dhe 651 janë ndërkombëtarë, ndërsa 14 gazetarë të huaj janë akredituar për të raportuar mbi zgjedhjet.
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet të dielën, kur do të zgjidhen kryetarët e 32 komunave dhe i Qytetit të Shkupit.
Në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve, kryetarët e komunave janë zgjedhur në 44 komuna. Ndërkohë, të dielën nuk do të ketë votime në katër komuna: Gostivar, Vrapçishtë, Mavrovë – Rostushë dhe Qendër Zhupë, pasi nuk u arrit censusi i nevojshëm.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thotë se: këto katër komuna nuk arritën pjesëmarrjen ligjore prej të paktën një të tretës ose 33.3 për qind të votuesve të regjistruar.
Kjo pjesëmarrje është një kusht që zgjedhjet të konsiderohen të suksesshme.
Në Gostivar dalja në votime ishte 33.31%, në Vrapçishtë – 25.18%, në Mavrovë dhe Rostushë – 30.31% dhe në Qendër Zhupë – 21.49 %.
Zgjedhjet e reja në këto katër komuna do të mbahen 60 ditë pasi të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale. (Meral Ismaili, TVM2)
