Takimi i tretë i liderëve, Ramadani: Ndërmjetësi do të përafrojë zgjidhjen
Nesër do të mbahet takimi i tretë i katër liderëve të partive më të mëdha në vend, Nikolla Gruevskit, Zoran Zaevit, Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit...

Për dallim nga dy takimet e para ku nuk u arrit asnjë marrëveshje konkrete, në raundin e ri të bisedimeve përveç dy ambasadorëve, atë të BE-së dhe ShBA-së, pritet që të jetë edhe një ndërmjetësues nga BE.
Analistet janë të mendimit se takimi i liderëve do të jetë i suksesshëm, sepse tanimë BE dërgon ndërmjetësues i cili nuk do të ketë vetëm rolin e vëzhguesit, por personit i cili në tavolinë do të vendos propozime konkrete për gjetjen e një zgjidhjeje për të tejkaluar krizën që ka përfshirë vendin. Sipas analist politik, Ismet Ramandanit, liderët e partive shqiptare kanë shansin e fundit që në tavolinë të vënë edhe interesin e shqiptarëve.
“Me vetë faktin që tani do të kemi përfaqësues të BE-së, ka autorizuar ndërmjetësues i cili pak më fort do t’i bie tavolinës në këto bisedime. Nëse kështu vazhdojnë bisedimet, atëherë mund të pritet që zgjidhja të përafrohet, por gjithmonë duke pasur kujdes në qëndrimin e shqiptarëve në këto bisedime. Ky është momenti dhe shansi i fundit i liderëve të partive shqiptare në bisedime që ta vënë në tavolinë interesin e shqiptarëve më tutje. Çdo zgjidhje pa e vendos edhe interesin e shqiptarëve nuk do të jetë zgjidhje e plotë dhe nuk do të japë perspektivë për këtë shtet”- deklaroi analisti politik, Ismet Ramadani.
Ndërkohë, sa i përket bashkëpunimit ndërpolitik BDI-PDSH, Ramadani shprehet se nëse kjo bëhet në vazhdën e bashkërendimit të deritanishëm me kryeministrin, Nikolla Gruevski, kriza politike do të thellohet edhe më shumë.
“Nëse ata edhe më tutje mbështesin Nikolla Gruevskin si një kryeministër i cili katandisi Maqedoninë si në aspektin politik, i cili krijoi krizë politike, ose në dimensionin e sigurisë dhe një kryeministër që mori kualifikime nga më të ndryshme në kontest negativ, atëherë çdo lloj tentim për të zgjidhur krizën me kryeministri, Nikolla Gruevski, do të jetë e dështuar. Duhet të jetë porosia shumë e qartë e dy liderëve shqiptarë, se ata përveç që duhet të hapin kontest të shqiptarëve me dy liderët, ata duhet që në asnjë mënyrë mos të lejojnë ose mos të përkrahin më tutje që Nikolla Gruevski të udhëheq edhe më tutje me ndonjë qeveri kalimtare eventuale, sepse atëherë kriza politike mund të thellohet edhe më shumë”- tha analisti politik, Ismet Ramadani.
Një ditë më parë, BDI-ja e mirëpriti idenë e bashkëpunimit ndërpolitik nga kreu i PDSH-së, Thaçi. Bashkërendimi me PDSh-në për çështje dhe momente strategjike u vlerësua si thelbësor për BDI-në. (Sanije Kasami, TVM2)
