Botë

Izraeli vazhdon vrasjet në Gazë, Netanjahu: Duam të arrijmë qëllimin tonë

30.10.2025 15:29

Izraeli ka kryer një sulm të ri në veri të Gazës, pavarësisht armëpushimit të rinovuar....

Izraeli ka kryer një sulm të ri në veri të Gazës, pavarësisht armëpushimit të rinovuar. Ka raportime për të vrarë, ndërsa ushtria izraelite pretendon se ka goditur një depo armësh. Kryeministri Benjamin Netanjahu deklaroi se qëllimi i përbashkët me Shtetet e Bashkuara është arritja e një “Gaze të ndryshme”, që nuk do të përbëjë kërcënim për Izraelin, duke mos përjashtuar mundësinë e veprimeve të reja ushtarake.
 
“Duam të arrijmë qëllimin për të cilin jemi pajtuar me presidentin Tramp, me pëlqimin e të tjerëve, që është çarmatosja e Hamasit dhe demilitarizimi i Gazës. Po punojmë për këtë në faza, së bashku me komponentë të tjerë të planit.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
OKB dënon vrasjet dhe shkeljen e armëpushimit
 
Nga OKB-ja dënojnë ashpër vrasjet e civilëve në Gazë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite, si dhe dënojnë të gjitha veprimet që minojnë armëpushimin dhe vënë në rrezik jetët e civilëve.
 
“Palët të respektojnë plotësisht angazhimet e tyre për zbatimin e armëpushimit dhe këto zotime duhet të mbahen në mënyrë të plotë. Çdo veprim, që rrezikon civilët ose pengon operacionet humanitare, duhet të shmanget. Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe partnerët tanë po rrisin me shpejtësi praninë tonë në të gjithë Gazën, duke punuar me intensitet për të ofruar ndihmë jetike për komunitetet në nevojë.”, - theksoi zëdhënësi i OKB-së, Stefan Dujarriq.
 
Sulmi shton pasigurinë në armëpushimin e brishtë në Gazë, i cili u trondit nga bombardimet më të rënda izraelite më herët gjatë kësaj jave, që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes më 10 tetor.
 
FARIJE DAUTI BAKIU