Botë

ShBA dhe Kinë, përfundon lufta tregtare mes dy vendeve

30.10.2025 15:42

Lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës duket se ka hyrë në një fazë qetësimi...

Lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës duket se ka hyrë në një fazë qetësimi, pasi të dy vendet ranë dakord për një armëpushim njëvjeçar gjatë takimit të zhvilluar në Busan, Korenë e Jugut, në kuadër të samitit të APEC-ut. Kjo është hera e parë që Donald Trampi dhe Xi Jinpingu takohen që nga viti 2019. Sipas marrëveshjes, Kina do të pezullojë kontrollet e eksportit për mineralet e rralla, ndërsa ShBA-ja do të heqë dorë nga vendosja e një tarife 100% ndaj mallrave kineze. Po ashtu, Trampi njoftoi se do të përgjysmojë nga 20% në 10% tarifat për importet që lidhen me fentanilin, pasi Xi u zotua të frenojë rrjedhën e kësaj opioidi sintetike drejt ShBA-së.
 
“Për çështjen e fentanilit ramë dakord që Xi do të punojë shumë për të ndaluar rrjedhën. Është një temë shumë komplekse, sepse përdoret për shumë arsye, përfshirë anestezikët dhe të tjera. Por, ai do të punojë seriozisht për këtë, për pararendësit kimikë. Do të shihni veprime reale. Unë kam vendosur, siç e dini, një tarifë 20% ndaj Kinës, për shkak të kësaj çështjeje, që është e madhe. Bazuar në deklaratat e tij sot, e kam ulur në 10%, kështu që tani është 10% në vend të 20% dhe hyn në fuqi menjëherë.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së,  Donald Tramp.
 
Xi Jinping tha se të dyja palët kanë arritur “konsensus për zgjidhjen e problemeve” dhe se duhet të ndjekin “veprime konkrete për ta siguruar ekonominë globale”.
 
“Duke pasur parasysh kushtet tona të ndryshme kombëtare, është e natyrshme që mund të kemi disa mosmarrëveshje, dhe si dy ekonomitë më të mëdha në botë, herë pas here mund të kenë përplasje. Përballë sfidave dhe tronditjeve është përgjegjësi e krerëve të shtetit, si timonierë, ta drejtojnë anijen e marrëdhënieve Kinë–ShBA me qëndrueshmëri përpara, duke mbajtur kursin e duhur dhe duke menaxhuar situatën e përgjithshme.”, - theksoi presidenti i Kinës, Xi Jinping.
 
Ministria kineze e Tregtisë konfirmoi pezullimin e kontrolleve të eksportit dhe njoftoi se ShBA-ja do të ndalojë planet për kufizime teknologjike ndaj kompanive kineze, ndërsa të dy vendet do të pezullojnë tarifat e ndërsjella për portet. Megjithatë, pjesa më e madhe e barrierave tregtare mbetet në fuqi. Sipas ekspertëve, marrëveshja përbën një “pauzë të pjesshme”, që mund të stabilizojë përkohësisht marrëdhëniet ShBA–Kinë dhe të ulë rrezikun për ekonominë botërore, por çështjet kyçe, si teknologjia dhe zinxhirët e furnizimit mbeten ende të pazgjidhura.
 
FARIJE DAUTI BAKIU