Rajon

Osmani fton kryetarët e partive në takim për të premten

30.10.2025 15:48

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ftuar kryetarët e partive politike në një takim të premten në mesditë...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ftuar kryetarët e partive politike në një takim të premten në mesditë, teksa Kosova vazhdon përpjekjet për formimin e një qeverie të re gati nëntë muaj pas zgjedhjeve. 
 
Osmani pritej t’i ftonte ata për takim konsultativ, pasi i mandatuari i parë nga ajo, Albin Kurti, i partisë fituese Lëvizja Vetëvendosje, dështoi t’i fitonte votat e mjaftueshme në Kuvend të dielën për ta zgjedhur qeverinë e re. Ajo duhet ta caktojë një mandatar tjetër për formimin e Qeverisë brenda 10 ditësh nga dështimi i mandatarit të parë, sipas Kushtetutës. Megjithatë, nuk është e qartë nëse do të caktohet një mandatar i ri, për shkak të mungesës së vullnetit nga partitë për të arritur ndonjë koalicion qeverisës.
 
Lideri i partisë së dytë më të votuar, Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, të dielën e hodhi poshtë mundësinë që të bëhet mandatar i radhës, në rast se presidentja do ta pyeste nëse e ka shumicën. Pak ditë pasi nuk e mori mbështetjen e Kuvendit për një mandat të tretë, Kurti, i cili është kryeministër në detyrë paralajmëroi zgjedhje të reja në dhjetor. Ai tha se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Nisma nuk deshën të bashkëpunonin me të, ndërsa ai vetë nuk e donte PDK-në në bashkëqeverisje.